Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Detyra e Partisë Demokratike përballë qytetarëve shqiptarë është që të distancohet nga "babalja", në të kundërt do të mbajë një gjurmë të një njolle të rëndë jo vetëm për veten por për të gjithë historinë e saj

Të reja

Detyra e Partisë Demokratike përballë qytetarëve shqiptarë është që të distancohet nga "babalja", në të kundërt do të mbajë një gjurmë të një njolle të rëndë jo vetëm për veten por për të gjithë historinë e saj

11 Oct 2018    

Fjala në Parlament e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla:  

Për të qenë strikt me procedurën, Zonja drejtuese e seancës më lejo të them se ky është një nga ato ligje që ka qenë e nevojshme të miratohej prej kohësh por falë punës së mirë dhe bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Qeverisë sot ndreqim disa gabime prej shumë vitesh në regjistrin civil të Shqipërisë.


Disa  mijëra të vdekur që nuk jetojnë më nuk do jenë në regjistër sikurse edhe tetë mijë të tjerë që nuk kanë qenë në regjistër do të regjistrohen. Ky është një shërbim i shtuar i cili i ka sorollatur për vite me radhë në dyer të gjendjes civile apo në dyer të gjykatave.

Të nderuar kolegë dhe kolege,

Më lejoni të them edhe dy fjalë për gjithë këtë histori balte të pafund. Dje kam pasur mundësinë të ndjek në rrugë juridike, në të njëjtën ditë madje edhe në të njëjtën orë përafërsisht, dy procese gjyqësore. Njërin me dhëndrin që Saliu i la partinë, Lulëzimin, dhe njërin me dhëndrin natyral të Saliut, bashkëshortin e vajzës së tij. Njëri në Gjykatën e Tiranës, tjetri në Gjykatën Italiane. Ky i dyti bëhet fjalë për një akt të turpshëm të degjenerimit të familjes së ish kryeministrit Berisha, ku si çdo qytetar tjetër i këtij vendi pasi kthehesha nga një detyrë shtetërore në një vend europian, papritur e papandehur dhëndri natyral i Saliut më goditi në prezencë të bashkëshortes së tij. Dje në gjykatën italiane, gjyqtari italian nuk pranoi ofertën e dhëndrit të Saliut për të paguar para’ ndaj meje për dëmin e shkaktuar, se këta janë mësuar të paguajnë para’ për këdo, për “babalen” për kunatin e “babales”.

Gjyqtari italian vendosi dje se oferta që kishte bërë dhëndri i Saliut për 2 mijë euro të mos pranohej por të bëhej një ofertë tjetër.

Ndërkohë që këtu në gjykatën e Tiranës dhëndëri tjetër i Saliut ai i partisë, Lulzimi, një dhëndër që ja mori në qafë partinë nuk u duk fare në dyert e gjykatës.

Mediat kanë njoftuar që nesër Lulzimi duhet të jetë në Prokurori për një kallëzim penal, ndër to kallëzim i rremë, shpifje, fyerje.

Lulzimi nesër ka detyrimin që të shkojë në Prokurori.

Dje në gjykatë, dua t’jua them, i bëra një kërkesë gjyqtarit dhe i thashë: Z.Gjyqtar ju lutem mos lini seanca në orën 09:00 të mëngjesit sepse Lulzimi nuk e kap dot. Është shumë herët për Lulzimin të vijë në Gjykatë në orën 09:00 të mëngjesit. Këshilla ime për Prokurorinë nesër është që mundësisht thirreni pasdite sepse paradite nuk e kap dot Lulzimin.

Unë nuk e di se pse opozita sot nuk është në këtë sallë sepse turi hoteleve ka mbaruar, të paktën nga njoftimet e deritanishme nuk ka ndonjë njoftim mbledhje të opozitës në ndonjë hotel që ka mbetur ende pa u shkelur.

Opinioni publik u njoh para dy netësh edhe me një seri të re të “Babale thriller seria 3”. Janë aq të paaftë sa janë zhytur në llucë dhe brenda në llucë vazhdojnë të llokoçiten me ca histori që nuk i beson më as Saliu.

Dua t’ju them se transmetimi që gjoja serviri Salianji, i cili tashmë në media është konfirmuar që është bërë mu në oborr të SHQUP-it nga ish drejtori i Policisë Bashkiake të Lulit e që Partia Demokratike, ende nuk thotë kush është gazetari i radhës te video-ja e radhës. Unë nuk di që drejtori i Policisë Bashkiake të Lulit të ketë punuar ndonjë ditë gazetar.

Në kushtet e kësaj tentative të përsëritur për të hedhur baltë përmes një video-je tërësisht me përmbajtje të pavërtetë është e rëndësishme të ndaj disa fakte:

Është fakt i njohur që kemi tre aktorë të përfshirë në “Babale 1”, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Të njëjtët persona të ndodhur në hall përpara mundësisë që ligji dhe forca e ligjit të jetë e barabartë për të gjithë kanë bashkëpunuar dhe hodhën për opinion një video të re.

Unë nuk do të bëj më kallëzim sepse kjo çështje ndodhet tashmë në duart e Prokurorisë. Regjistrimi që ka Prokuroria tregon qartë se “babalja” dhe Alizoti kanë pranuar se u janë ofruar nga Partia Demokratike nga 100 mijë euro për kokë për rolin e luajtur në videon “Babale 1”.

Fakt tjetër, në regjistrimin e siguruar nga Prokuroria vetë Alizoti pranon me gojën e tij se ka luajtur rolin e vëllait të ministrit të Brendshëm.

Nuk ka vend në Europë që një parti të konfirmohet nga hetimi i Prokurorisë që është përfshirë në një puç me video të falsifikuara ndaj një ministri të qeverisë, ajo parti jo vetëm që duhet të vinte në Kuvend por kryetari ende në detyrë i kasaj partie duhej të vinte të kërkonte falje për përfshirjen e turpshme të një prej partive më të mëdha të këtij vendi.

Kontakti i tyre me Partinë Demokratike sipas materialeve të Prokurorisë është deputeti koordinator i Lulzimit, Ervin Salianji i cili ka qenë dhe personi që ka vënë në shërbim edhe gazetarin Jetmir Olldashi. Po aq e rëndë është që ky gazetar paskësh qenë pjesë e infiltrimit edhe nga SHISH.

Kjo e bën edhe më të rëndë gjithë këtë histori puçi, ku në krye të saj është Partia Demokratike e Shqipërisë. Dikur partia e idealeve të dhjetorit, sot nuk di si t’ja vë emrin kësaj partie.

Edhe transmetimi i pretenduar për të hedhur poshtë provën përforëcon ndryshimet e kësaj maskarade të dakordësuar mes një deputeti të Partisë Demokratike nën hyqmin e Lulzim Bashës dhe të dy personazheve.

Sot ju do vazhdoni të lexoni të njëjtin lumë akuzash. Detyra e Partisë Demokratike përballë qytetarëve shqiptarë është që zyrtarisht duhet të distancohet, në të kundërt Partia Demokratike do të mbajë një gjurmë të një njolle të rëndë jo vetëm për veten por për të gjithë historinë e kësaj partie. Për të cilën duhet ta pranojmë se në këto 28 vite ka plot merita të shkëlqyera përsa i përket rrugës Euro-Atlantike të Shqipërisë por që me Lulzim Bashën, me dhëndrin në krye të Partisë Demokratike, Sali Berisha i vuri vulën e turpit kësaj partie.

Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm