Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Buxheti i ri, pasqyra kuptimplotë e vlerës dhe dobisë së reformave të ndërmarra

Të reja

Buxheti i ri, pasqyra kuptimplotë e vlerës dhe dobisë së reformave të ndërmarra

13 Nov 2017    

Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste:

 

Është vërtetë për të ardhur keq që Partia Demokratike dhe simotra e rigjetur e saj nuk arrijnë dot të mbajnë një standard, një qëndrim, kur është fjala në marrëdhënie me ligjin, pasi për ta, ligji vlen ndryshe, peshon ndryshe dhe gjykohet ndryshe, sipas situatave të ndryshme politike.

Për ne, ligji vlen njësoj për të gjithë, peshohet njësoj në të gjitha rastet dhe nuk gjykohet, por zbatohet.

Prandaj, unë e mbështes plotësisht nismën e kryetarit të grupit për të filluar procedurat për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së.

Ndërkohë që, sëbashku me ekspertët e Kryeministrisë, po gjykohet edhe mundësia e shkarkimit të kryetarit të bashkisë së Mallakastrës, si një entitet i ndëshkuar nga gjykata italiane që përbën subjekt dhe objekt të ligjit për dekriminalizimin.

Fakti që ai ka në xhep teserën e Partisë Demokratike, nuk e bën as me imunitet ndaj ligjit dhe as virgjëreshë në raport me veprat penale që ka kryer e për të cilat është ndëshkuar nga gjykata italiane.

Para se të them disa fjalë për buxhetin, dua të falenderoj përpara jush, por edhe publikisht Ministrin e Jashtëm dhe ekipin e tij për punën e kryer në funksion të adresimit të problemeve të mbartura për dekada të tëra, në raport me fqinjin tonë jugor.

Bisedimet e zhvilluara në Kretë kanë shënuar një moment shumë të rëndësishëm për diplomacinë tonë, por edhe për dinamikën e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Greqia për ne është një partner strategjik. Ne me Greqinë duam të kemi një traktat partneriteti strategjik dhe jo një sërë çështjesh që shfaqen e rishfaqen në rrugën e të ardhmes, herë pas here për arsye të brendshme në të shumtën e herës, herë si gurë, e herë si gjarpërinj dhe pengojnë përparimin e këtyre marrëdhënieve, pengojnë konsolidimin e këtyre marrëdhënieve, pengojnë pikërisht ecurinë e një partneriteti që është strategjik për ne, për Shqipërinë, por njëkohësisht dhe për Greqinë.

Ne na vjen mirë që më në fund palët janë në tryezë. Ne na vjen mirë që më në fund diskutimi nuk bëhet me deklarata të lëshuara në distancë. Ne na vjen mirë që më në fund, të gjitha çështjet adresohen në mënyrë racionale dhe kjo ndihmon jashtëzakonisht shumë, në lehtësimin e domosdoshëm të klimës, në radhë të parë në funksion të njerëzve, të popujve tanë.

Sigurisht që është një proces që vazhdon, është një proces jo i lehtë, por nga ana tjetër është një proces që vjen si rezultat i këmbënguljes, i durimit dhe i qetësisë që na kanë shpërblyer në fund me këtë mundësi për t’u parë sy më sy e për t’i folur njëri tjetrit hapur, për çështje që pikërisht pse u mbajtën anash apo u bënë sikur nuk ekzistonin për vite të tëra, u kthyen në një tërkuzë që krijoi edhe probleme dhe momente të panevojshme nxehtësie, në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Duke e inkurajuar ministrin e Jashtëm dhe skuadrën e tij për të ecur përpara në këtë rrugë, duke  e siguruar për gjithë mbështetjen dhe njëkohësisht edhe për vënien në lëvizje të gjithë atyre komponentëve institucionale të këtij procesi që duhet të përfshihen tanimë për të shkuar më tutje, kam shumë besim se këto çështje do të adresohen deri në fund, ashtu siç duhet dhe midis Shqipërisë e Greqisë do të hapet një kapitull i ri, një sezon i ri dhe ne do të bëjmë gjithçka mundemi që kjo situatë krizash në marrëdhëniet tona të kthehet në një situatë mundësisht për të dy vendet tona, duke arritur deri në nënshkrimin e një traktati të partneritetit strategjik, pasi për ne ka qenë e qartë që në krye të herës se Shqipëria ka partneritet strategjik me Italinë, Turqinë dhe Greqinë.

Për sa i përket projektbuxhetit, unë dua të them që në krye të herës se ky projektbuxhet është pasqyra më kuptimplotë e vlerës, e dobishmërisë dhe e fryteve të reformave që kemi ndërmarrë që në ditën e parë të mandatit të parë.

Faktikisht, në këtë buxhet, kush ka sy për të parë dhe kush mendon me mendjen e tij dhe nuk e ka lënë mendjen në dorëzim tek ata që nuk duan të mendojnë asgjë tjetër, përveçse përbaltjes së punës sonë, mund të shohë qartësisht rikthimin e besimit të sipërmarrjes tek ekonomia, rikthimin e besimit të konsumatorit vendas, rritjen e eksporteve dhe rritjen e investimeve të huaja direkte, gjëra që kanë krijuar një momentum, siç e specifikon FMN-ja në raportin e saj për vendin në vitin 2017, për të përshpejtuar rritjen ekonomike si një kyç, për aspiratën e Shqipërisë për integrimin europian.

Në këtë aspekt, buxheti e afron më tutje Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe rezulton një produkt i një procesi ku reformat po konsolidohen, politikat nxitëse për shumë sektorë të ekonomisë janë gërshetuar dhe rritja ekonomike është bërë tanimë e qëndrueshme duke prekur nivelin 4.2% ose 4 herë më shumë se sa rritja që gjetëm vetëm 4 vite më parë, përgjatë harkut të vitit të ardhshëm.

Një nivel i tillë rritjeje na jep mundësinë të kemi një buxhet që nuk është thjesht më i madhi në gjithë faqet e buxheteve të periudhës së pluralizmit, sepse kjo është një gjë që është thënë gjithmonë dhe në fund të ditës është normale, por ndryshe nga sa ndodhte në kohën kur bënim buxhete të mëdha dhe pretendonim se ishim të dytët pas Gjermanisë, ky buxhet bazohet ekskluzivisht në të ardhurat e brendshme, që është gjëja më themelore, në raport me gjithë sa thashë pak më parë dhe që i jep kësaj pasqyre të gjithë forcën e reflektimit të dobisë së reformave që ne do t’i thellojmë me edhe më shumë vendosmëri, do t’i çojmë përpara me edhe më shumë kurajë, pa fryrje artificiale, nga borxhi i jashtëm.

Nuk do ta ekzagjeroja fare po të thoja se projektbuxheti i vitit 2018 është hapi i parë i madh drejt ndërtimit të Shqipërisë që duam. Është përgjegjësia jonë që t’i prezantojmë publikut dhe të zbatojmë një buxhet që afron Shqipërinë më pranë Bashkimit Europian dhe është pikërisht ajo që po bëjmë. 

Nga ana tjetër, vlen të theksohet se nëse u bë zakon për vite e vite të tëra, që projektet e prezantuara e tejkalonin me forcën e imagjinatës realitetin ekonomik, ndërtoheshin më shumë me idenë “bëjmë çfarë bëjmë sot, nesër shohim e bëjmë”, sesa me vizionin për të ndërtuar hap pas hapi, një shtet evropian, në këtë rast ne kemi një hap që hidhet në funksion të një vizioni strategjik dhe njëkohësisht të një strategjie shumë të qartë të rritjes të qëndrueshme ekonomike.

Ky është një buxhet që investon tek e ardhmja, investon tek rritja e cilësisë së jetesës, tek rritja e punësimit dhe tek forcimi i mëtejshëm i shtetit. Të ardhurat e buxhetit rriten me 6.3 %, duke kapur një nivel të konsiderueshëm të prodhimit tonë kombëtar.

Nga ana tjetër, buxheti i vitit të ardhshëm ka brenda vetes paketën më të madhe të investimeve publike te realizuara ndonjëherë, 86,1 miliardë  ose më shumë se 5% e prodhimit tonë të brendshëm kombëtar.

Një nivel tjetër i tillë investimesh publike është i paprecedent sidomos po të marrim parasysh dhe një fakt tjetër, që investimet rriten dhe niveli i borxhit publik vazhdon të ulet.

Trendi rënës i borxhit publik, thuajse 2.5 %, në raport me nivelin e tij do të thotë as më shumë dhe as më pak, por konsolidim i mëtejshëm i përpjekjes për të bërë shtet. Konsolidimi i mëtejshëm i përpjekjes për të ecur në një rrugë, ku nuk marrim të ardhmen borxh për të financuar të sotmen.

Nuk shpenzojmë dhe nuk investojmë, duke rritur faturën e fëmijëve tanë nesër.

Sigurisht që investimet janë të përqendruara pikërisht aty ku është edhe ndjeshmëria dhe nevoja më kritike, por edhe në funksion të stimulimit të rritjes ekonomike.

Më vjen shumë mirë që me këtë buxhet arsimi dhe shëndetësia njohin një rritje të konsiderueshme dhe po ashtu edhe bujqësia ku ne do vazhdojmë të përforcojmë theksin tek stimulimi i eksporteve në radhë të parë.

Ky buxhet lehtëson familjet që çojnë fëmijët në shkollë, duke garantuar librat falas për 4 vitet e para të shkollës.

Nga ana tjetër, ky buxhet financon fillimin e programit të ndërtimit dhe të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore me standarde europiane, në 4 vitet e ardhshme.

Sigurisht që “pjesën e luanit” e ka infrastruktura rrugore, por jo vetëm, edhe ujësjellësat, edhe kanalizimet kanë një financim me rritje të konsiderueshme, në raport me të shkuarën.

Duhet të kemi parasysh që krahas financimit të drejtpërdrejtë nga buxheti, ne tanimë e kemi nisur edhe zbatimin e programit “1 miliardë për rindërtim” në rrugën e Arbrit. Janë dy vija paralele, që ne besojmë do sjellin një rritje të konsiderueshme ekonomike, një rritje të konsiderueshme të punësimit, një rritje të konsiderueshme të fuqisë së integrimit social, në mbarë territorin e vendit.

Nga ana tjetër, është me shumë rëndësi ta theksoj sot sepse kjo është një betejë e të gjithëve, jo vetëm e qeverisë, as vetëm e pushtetit vendor, por edhe e gjithë deputetëve dhe e të gjithë strukturës sonë në funksion të ndalimit të hemorragjisë shumëvjeçare, në sektorin e ujit.

Është koha që edhe uji të kthehet nga një mall pa zot, në një pasuri kombëtare që gjeneron mirëqenie dhe jo në një pasuri që deri tani na ka gjeneruar vetëm probleme.

Është shumë e rëndësishme që edhe njëherë ta përsëris apelin publik, që kushdo që furnizohet me ujë te pijshëm, në mënyrë të paligjshme të përfitojë nga afati 90 ditor që skadon në datën 1 shkurt dhe të bëjë lidhjen me sistemin e ujësjellësit, legale, dhe të firmosë kontratën me ndërmarrjen e ujësjellësit.

Të gjitha financimet, që e thashë, janë më shumë sesa asnjëherë tjetër, në ujësjellësa do të shpërndahen, jo në mënyrë të përgjithshme, por në mënyrë të përveçme. Ne do të mbështesim të gjithë ato ndërmarrje ujësjellësish dhe të gjithë ato bashki pa dallime politike që do të realizojnë tregues të performancës, në funksion të uljes drastike të vjedhjes dhe të abuzimit me ujin.

Asnjë ndërmarrje ujësjellësi që do të vazhdojë në rrugën e vjetër nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shqiptarëve. Gjej rastin që ta theksoj edhe sot, edhe për këtë rast, që është e njëjta histori, është tërësisht e njëjta histori.

Ne ishim në Dibër dhe  kemi ndaluar sëbashku me Ministren e mbrojtjes në një fshat në Komsi që nuk mund të quhet absolutisht një fshat me një mirëqenie të posaçme, përkundrazi, ku të gjithë paguajnë ujin, pavarësisht nivelit të jetesës, pavarësisht të ardhurave të familjes.

E pra, nëse në atë fshat, në Komsi të Matit familjet me ndihmë ekonomike apo nga të ardhurat nga puna e tyre me tokën, që nuk jetojnë në mes të mirëqenies, por jetojnë në mes 1001 problemesh paguajnë çdo litër ujë që pinë, nuk ka askush alibi që të mos paguajë. E atyre që vazhdojnë qajnë hallin e popullit unë i them shumë qartë, ju s’jeni populli, ju jeni individë të mbrapshtë në gjirin e këtij populli. Sepse populli është ai atje në Komsi të Matit që për atë që merr, paguan dhe nuk vjedh, nuk abuzon në kurriz të atyre të atyre që paguajnë. E njësoj si me energjinë elektrike, edhe me ujin, historia është e njëjta. Janë ata që kanë vila me tre kate, janë ata që i kanë xhepat plot, janë ata që kanë nga dy makina, që vjedhin ujin e pijshëm.

Nuk janë ata që janë më të varfër, nuk janë ata që jetojnë me ndihmë ekonomike, nuk janë pensionistët. E meqë ra fjala, kemi një proces debati, që besoj do ta finalizojmë në ditët në vijim, lidhur me taksën e ndërtesës për pensionistët dhe për familjet në ndihmë ekonomike.

Më tutje, do doja të theksoja që paralelisht me ndërhyrjet në infrastrukturën kombëtare, - sepse jemi i vetmi vend në Europë dhe në Ballkan që s’kemi një rrugë kombëtare të vetme sipas standardeve të BE, s’kemi një aks nga fillimi në fund që të mund të certifikohet sipas standardeve të Bashkimit Europian i parrezikshëm për jetën e qytetarëve dhe me garanci për lëvizshmërinë e mjeteve, - kështu që i gjithë programi i këtij viti që vjen dhe i katër viteve, do të fokusohet për t’iu dhënë shqiptarëve dhe për t’i dhënë Shqipërisë akse kombëtare të certifikueshme sipas standardeve të sigurisë dhe të lëvizshmërisë të Bashkimit Europian.

Nuk diskutohet që, Rruga e Arbrit do të jetë e tillë, por nuk diskutohet që të tilla do të jenë edhe rrugët e tjera, qofshin ato të reja që ne do të ndërtojmë, qofshin ato ekzistuese që ne do të rindërtojmë.

Paralelisht me këtë, ne kemi dhe një program financimesh intensive për zhvillimin rural. Rilindja Urbane hyn në një fazë të re, shtrihet përtej qendrave të qyteteve dhe përparësia kryesore do të jetë, çuarja e infrastrukturës në ato pika të hapësirës rurale, ku ka përpjekje për zhvillimin e turizmit dhe ku ka potencial për zhvillimin e turizmit. Për këtë arsye do të financojmë edhe rrugën deri në Theth. Për këtë arsye do të financojmë edhe rrugën deri në Lurë, në këto katër vite flas, të gjitha këto së bashku. Për këtë arsye do të financojmë edhe rrugën deri në Frashër. Edhe për këtë arsye do të financojmë rrugën deri në Kurvelesh. E kështu, të tjera rrugë që do të na ndihmojnë për të stimuluar më tej zhvillimin e turizmit dhe për t’i dhënë shumë më tepër mundësi zhvillimi dhe agroturizmit.

Nuk diskutohet që, nëse do t’i rendisnim të gjitha projektet do duhej shumë kohë, por ajo që është e rëndësishme është që plani prek të gjitha qarqet dhe sjell stimuj të rëndësishëm për ekonominë kombëtare dhe ekonominë lokale në çdo qark të vendit.

Nga ana tjetër, shumë kemi dëgjuar, ç’nuk kemi dëgjuar, por jam i bindur që ju do të doni ta dëgjoni, ata që se kanë dëgjuar, një gjë që unë dëgjova, sot pasdite në një prononcim të simotrës së rigjetur të Partisë Demokratike, që thoshte, “shtrirja e TVSh-së i shërben trafikantëve”. Gjithçka mund ta kemi dëgjuar, por s’kemi dëgjuar gjë akoma mesa unë kuptova. Domethënë që shtrirja e TVSh-së deri në 2 milionë lekë të reja për biznesin më të vogël e lart i shërbeka trafikantëve. Kjo është një gjë që duhet një fantazi e shfrenuar  për ta thënë, por edhe që shpjegon apo tregon me një simptomë shumë kuptimplotë, momentin histerik të politikës tonë opozitare.

Megjithatë histeria është një sëmundje e vjetër e politikës tonë, të cilën ne nuk e kemi dhe as nuk kemi fuqi ta shërojmë tek të tjerët, kur ata e zgjedhin histerinë si projekt politik.

Histeria s’mund të jetë as vizion, as projekt, as program, as alternativë, as ide, por është vetëm fatkeqësia e atyre që e kanë dhe duke i shprehur të gjithë keqardhjen e sinqertë në pritje të një qetësimi të nevojshëm për vendin dhe për jetën politike, unë ju kërkoj që ne të vazhdojmë rrugën tonë, të vazhdojmë drejt me vendosmëri të kryejmë detyrat tona dhe të mbajmë përgjegjësinë tonë.

Ne nuk jemi zgjedhur që të merremi me opozitën. Ne jemi zgjedhur që të bëjmë detyrat tona dhe pjesë e këtyre detyrave është lufta kundër informalitetit. Pjesë e këtyre detyrave është partneriteti ynë me sipërmarrjen e ndershme, me sipërmarrjen që kërkon rregulla dhe që punon sipas rregullave, e madhe, e mesme apo e vogël. Në betejë kundër çdo forme sipërmarrje që synon t’ia hedhë konsumatorit dhe t’ia hedhë shtetit duke hapur gropa  aty ku në fakt duhet të mbjellim fidanët e së ardhmes, të gjithë së bashku.

Fakti që shumica dërrmuese  e sipërmarrjes së vogël, e biznesit të vogël, jo vetëm e kupton, po dhe e dëshiron ketë masë, është treguesi më i qartë i drejtësisë së kësaj mase që nuk sjell asnjë kosto shtesë, pasi faktikisht Tvsh-ja paguhet nga konsumatori final. Dhe është ikja prej saj një thikë pas shpine, pikërisht ndaj konsumatorit final, ndaj qytetarit dhe patjetër duke i bishtnuar detyrimeve që shteti mbledh për qytetarët.

Jam shumë i bindur, që me këtë masë, ne do të shikojmë një transformim të rëndësishëm të marrëdhënies së sipërmarrjes së madhe me sistemin fiskal dhe nga ana tjetër, kemi diskutuar me ministrin e financave, ne do të çelim edhe një tjetër betejë me sipërmarrjen e madhe sepse kemi konstatuar se në 800 kompanitë më të mëdha të Republikës së Shqipërisë, 42 % e pagave, janë nën 300 mijë lekë. Kjo për ne quhet shmangie nga detyrimet!  Shmangie nga detyrimet që godet pensionet e atyre punonjësve deri dhe inxhinierë që paguhen nën 300 mijë lekë për t’i ikur detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe të taksave. Ata marrin para më shumë në të zezë, por goditen pensionet e tyre dhe goditet i gjithë sistemin në Republikën e Shqipërisë. Kjo është një betejë që ne do ta nisim dhe prandaj thirrja ime për kompanitë e mëdha është që ti japin fund kësaj loje sepse në këtë rrugë për të bërë shtet, këto lojëra ne nuk do t’i pranojmë për askënd dhe për asnjë arsye.

Kanë shumë të drejtë njerëzit që ankohen për rrogat që marrin dhe për faktin që keqtrajtohen me detyrimin e heshtjes sepse mund të humbasin vendin e punës. Ne jemi aleatë të tyre dhe të gjitha këtyre kompanive do t’u bëhet rikontoll dhe përpara se tu bëhet rikontrolli, është mirë që të zgjidhin problemin me ndershmëri dhe me dinjitet se s’ka turp më të madh  sesa një kompani e madhe i shmanget deklarimit të rrogave të prindërve apo të të rinjve që vijnë aty japin kontribut dhe figurojnë sikur janë shërbëtorë të një beu që s’do të dijë as për shtet, as për ligj, as për dinjitet.

E rëndësishme është që në tërësi edhe ndërhyrjet që bëhen minimaliste në sistemin e taksimit bazohen tek vlera e progresivitetit. E njëjta gjë ndodh edhe me taksën, me taksimin për ndërtesën ku kalohet nga taksa e sheshtë në një taksë që bazohet tek vlera e pronës, por ku siç thashë është ende një diskutim i hapur lidhur me ndërtesat, me shtëpitë e pensionistëve të vetëm dhe me shtëpitë e familjeve në ndihmë ekonomike.

Për paketën e re për turizmin kemi folur. Edhe për këtë thuhet me të madhe që kjo është një paketë që ndihmon miqtë dhe klientët e qeverisë sepse merret për e mirëqenë se në Shqipëri ka hotele me pesë yje apo me katër yje të standardeve ndërkombëtare. Por kjo nuk është e vërtetë! Kështu që kjo paketë nuk stimulon as një mik dhe asnjë klient, pavarësisht se është debat tjetër pastaj se kush janë klientët dhe të kujt janë.

Kjo paketë stimulon zhvillimin e një fashe të infrastrukturës tonë turistike që është sot krejtësisht e munguar, pikërisht hotelet me 4 dhe me 5 yje, në bazë të një liste globale të firmave të këtyre hoteleve dhe jo në bazë të aftësisë për të prerë me kompensatë yje dhe për t’i lyer me të verdhë e për t’i ngulur te tarraca e hotelit.

Besoj që është një lajm i mirë edhe fakti se buxheti i jep zgjidhje një problemi shumë të vjetër në paketën fiskale të sektorit të peshkimit, i cili lehtësohet më në fund nga barra e TVSH-së në import, të 52 kategorive të pajisjeve e të mjeteve të peshkimit që ishte si një lloj rrjete që e kishte kapur sektorin dhe e mbante tamam si peshk e nuk e linte të dilte në det dhe në fund garanton forcimin e mëtejshëm të shtetit, qoftë në funksion të financimit të plotë të zbatimit të reformës në drejtësi, qoftë në funksion të financimit të forcave të rendit. Ministria e Brendshme për nevojat imediate dhe për të adresuar disa nga mangësitë e veta të rëndësishme logjistike, laboratorike, në funksion edhe të përshkallëzimit të luftës kundër krimit të organizuar, ka një buxhet të konsiderueshëm investimesh, ashtu sikundër siç e thashë edhe i gjithë procesi i reformës në drejtësi.

 Duke qenë i bindur se ditën e enjte nuk votojmë një buxhet pse është buxheti ynë, por votojmë buxhetin që i duhet sot Shqipërisë për ta çuar një hap të konsiderueshëm më tutje pranë Bashkimit Europian, - dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar.

Dua të falënderoj Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm së bashku me Komisionin dhe dua ta inkurajoj që të çojë deri në fund debatin e nisur, lidhur me pikën e fundit të diskutimit me Ministrinë e Financave, për taksën e shtëpive të pensionistëve dhe të familjeve me ndihmë ekonomike.

Dua të falënderoj patjetër edhe të gjithë Komisionin se ka pasur barrën më të madhe të punës dhe sigurisht edhe të gjithë deputetët, në të gjitha komisionet që kanë qenë mirëkuptues, që kanë qenë konstruktivë dhe që kanë ndihmuar në përmirësimin e projektit me të gjitha sugjerimet, kritikat dhe idetë e tyre dashamirëse.

Ju faleminderit!

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm