26-maj-Rama-Vlore_1

Kryetari i PS, Edi Rama: “Ajo që unë dua t’ju them, sot, të gjithë biznesit të vogël të Vlorës, të gjithë atyre që jetojnë me një dyqan është;

E para, të gjitha gjobat që janë vendosur dhe vazhdojnë të vendosen që nga 1 marsi i këtij viti ne nuk do t’i njohim. T’i mbajnë si certifikata të mosmirëkuptimit me këtë qeveri.

E dyta, ne do t’ua heqim taksën e biznesit të vogël.

E treta, ne do t’ua përgjysmojmë tatimin e fitimit.

E katërta, ne do t’u krijojmë të gjitha kushtet që të shtojnë vendet e punës për çdo vend pune që do të hapin ne do t’i japim mbështetje me një politikë të re që do të nxisë punësimin.

Të gjithë ata që kanë një dyqan në 23 qershor nuk duhet të votojnë për partinë, por duhet të votojnë për biznesin e tyre të vogël, për familjen e tyre. E, këtë e kam për të gjithë demokratët e zakonshëm të thjeshtë dhe të ndershëm të Vlorës; lerëni Saliun, mos u merrni me Saliun. Saliu ka tjetër rrugë secili prej jush ka tjetër rrugë. Saliu ka rrugën e rrënimit ju keni rrugën e mirëqenies për vete dhe për familjen tuaj.”

  • Prononcimi i Kryetarit të PS, Edi Rama pas takimeve të zhvilluar me të vetëpunësuar në qytetin e Vlorës.

Bizneset e vogla edhe në Vlorë, ashtu si në të gjithë vendin, vuajnë krizën mbytëse, listat e borxheve që rriten dhe shtimin e presionit të pushtetit përmes gjobave. Kryetari i PS, Edi Rama gjatë paradites së të dielës ka qenë në shumë njësi tregtare të biznesit të vogël në qytetin e Vlorës, ku ka marrë të njëjtin pohim “mirë taksat po i paguajmë me borxhe, po edhe gjobat janë rritur”.