Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Balla në Romë: Ne jemi të vendosur për t’ju garantuar një ndër të drejtat themelore emigrantëve shqiptarë, atë të votimit

Të reja

Balla në Romë: Ne jemi të vendosur për t’ju garantuar një ndër të drejtat themelore emigrantëve shqiptarë, atë të votimit

10 Jun 2018    

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim në Romë,  me shqiptarë që jetojnë e punojnë në zona të ndryshme të Italisë.

“Kontributet e emigrantëve janë të pazëvendësueshme për sa i përket zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe fakti se sot, përafërsisht një në tre-katër shqiptarë jeton jashtë, na detyron të jemi fuqimisht të angazhuar për t’i kushtuar vëmendjen e duhur komuniteteve shqiptare kudo ku janë për të patur ndikim në jetën politike të Shqipërisë sonë.

E vërteta është se vetëm pas vitit 2013 filloi interesimi i Qeverisë shqiptare për qytetarët që jetojnë jashtë, duke synuar përmirësimin rrënjësor të shërbimit konsullor, hartimin e politikave dhe bashkëpunimin me qeveritë e vendeve ku jetoni në lidhje me arsimin, kulturën, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve, etj. Më në fund pas 25 viteve, kemi një Ministër në Qeveri të dedikuar për çështjen e Diasporës dhe vetëm në 7 muaj kemi miratuar ligjin “Për diasporën”, kemi krijuar Agjencinë, por edhe pak ditë më parë Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Ne, Partia Socialiste, jemi të vendosur, pavarësisht hezitimit të partisë kryesore në opozitë, për t’ju garantuar një ndër të drejtat tuaja themelore, atë të votimit dhe vendim-marrjes në politikat e vendit.

Natyrisht që garantimi i së drejtës së votës për ju shqiptarët që jetoni jashtë Shqipërisë paraqet një sërë vështirësish dhe sfidash, por që nuk janë kurrsesi të pakapërcyeshme dhe që zbehen përballë argumenteve në favor të garantimit të votës tuaj”, u shpreh Taulant Balla.

Në këtë takim Kryetari i Grupit Socialist, shoqërohej nga deputeti Jurgis Çyrbja, Sekretari i PS-së për Diasporën Stefan Çipa, si dhe drejtues të PS-së në Itali.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm