Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 6-mujori i i parë i vitit është një stacion optimal, për të pozicionuar më në fund Shqipërinë në tryezën e familjes europiane

Të reja

6-mujori i i parë i vitit është një stacion optimal, për të pozicionuar më në fund Shqipërinë në tryezën e familjes europiane

06 Jan 2018    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së:

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari dëshiroj t’ju uroj me gjithë zemër një vit të mbarë për ju, familjet e të dashurit tuaj dhe patjetër, edhe për këtë familje të madhe, ku na bashkojnë vlera dhe qëllime të rëndësishme për vendin tonë!

Mbyllëm një vit me vështirësi të mëdha, por edhe me një shpërblim të madh të marrë prej shqiptarëve, falë përpjekjeve, besoj, kolosale të mandatit të parë dhe bindjes së krijuar tek njerëzit se Partia Socialiste e meriton timonin e vetme, për të provuar deri në fund, e patrazuar nga të tjerë, aftësinë e vet qeverisëse dhe mundësinë për ta çuar Shqipërinë më afër se kurrë me Bashkimin Europian. Ky shpërblim ishte një fitore historike e mandatit të dytë, me numrin më të madh të votave që Partia Socialiste ka marrë ndonjëherë qysh në krijimin e saj dhe në këto 100 ditë të para, ne kemi arritur të bëjmë çka kemi vendosur si objektiva, por po ashtu koha vrapon dhe volumi i punëve që ne duhet të kryejmë është i jashtëzakonshëm.

Viti u karakterizua nga një betejë për drejtësinë, e cila ishte një vazhdim i betejës së hapur qysh në vitin paraardhës dhe besoj që e përcaktoi qartë Partinë Socialiste si udhëheqësen dhe garanten e Reformës në Drejtësi, duke e ndarë politikën shqiptare në sytë e të gjithë njerëzve të arsyeshëm të këtij vendi, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, në dy kampe; nga njëra anë, kampi i reformistëve, i Partisë Socialiste dhe i të gjithë atyre që e duan këtë reformë të shkojë deri në fund, sepse është e vetmja mundësi për të pasur më në fund një drejtësi të drejtë dhe kampi i të tremburve nga Reforma, i cili tanimë është zgjeruar edhe me përfshirjen haptas kundër Reformës në Drejtësi të aleatëve tanë të mandatit të parë.

Të gjithë jemi dëshmitarë se ne rrezikuan qeverinë, por nuk lejuam që të rrezikohet ecuria e Reformës në Drejtësi dhe u përpoqëm që ta mbajmë gjallë Aleancën për Shqipërinë Europiane, si projekt strategjik të të majtës së bashkuar, por pa kompromentuar Reformën në Drejtësi. Besoj se në fund, qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë, për të mos e kompromentuar Reformën në Drejtësi, ndau përfundimisht edhe rrugët tona me aleatin e deridjeshëm të mandatit të parë qeverisës.

Viti pati si kulminacion të vetin Vetting-un, i cili u kthye në një arsye për t’u parë edhe më dukshëm, edhe më qartë ndarja; nga njëra anë ne dhe nga ana tjetër ata që u mblodhën në çadër në Bulevard, për disa muaj me radhë, me gjithfarëlloj alibish, por me betimin për të mos lejuar Vetting-un. U arrit të bëhej një marrëveshje. Dua ta kujtoj sot se kushti i panegociueshëm i marrëveshjes ishte që çadra të mbyllej dhe ata nga çadra të vinin të votonin Vetting-un, pastaj, të gjitha të tjerat me radhë.

Ne ia dolëm, natyrisht duke pasur mbështetjen e madhe popullore në këtë proces për një Reformë, të cilën e duan jo vetëm ata që na votojnë, por dhe shumica dërrmuese e atyre që nuk na votojnë ne si Parti Socialiste dhe mbështetjen e palëkundur të partnerëve tanë ndërkombëtarë, me të cilët që nga sekonda e parë dhe deri në momentin që po flasim kemi qenë në një qëndrim të unifikuar dhe asnjëherë të ndarë në asnjë hap të Reformës në Drejtësi.

Pa bërë shumë histori për gjëra që të gjithë i dinë, sepse janë të freskëta, dua të nënvizoj me keqardhje se pas kalimit me sukses të një mali të lartë, të ngritur artificialisht jo në rrugën tonë si Parti Socialiste, por në rrugën e Shqipërisë, duke kërcënuar transformimin e procesit zgjedhor në një proces të cunguar rëndë për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës, u gjendëm përballë akuzës se ne e kemi shkelur marrëveshjen. E faktikisht jemi në kushtet kur opozita, tanimë e konsoliduar si një kamp kundër Reformës në Drejtësi, pra, jo vetëm Partia Demokratike, por edhe partia tjetër me të cilën ndamë 4 vite përpjekje dhe shumë rezultate të rëndësishme të reformave tona, janë rikthyer në çadër me të njëjtën pllakë gramafoni, me të njëjtat kërcënime dhe me të njëjtin qëllim, që është mos lejimi i çuarjes përpara të Reformës në Drejtësi.

Ajo ç'ka seanca e fundit e Kuvendit për vitin e shkuar nxori në pah, me ngjyra të forta dhe me kërcitje të mëdha, ishte pikërisht shprehja më kulmore e dëshpërimit dhe e mungesës së vizionit, mungesës së strategjisë, mungesës së ideve përballë faktit se Reforma në Drejtësi po bëhet përditë e më e pandalshme, ndërkohë që Procesi i Vetting-ut ka nisur. Jam besimplotë se në 2-3 muajt e parë të vitit, ne do kemi rezultate konkrete, që do të tregojnë qartësisht edhe vlerën e madhe të kësaj beteje, por edhe përputhjen e aspiratave të njerëzve që e mbështetën dhe e mbështesin Reformën në Drejtësi me atë ç'ka ata presin konkretisht.

Ajo çka mbetet për t’u thënë është se pavarësisht gjithë dinamikës së brendshme jemi në kushtet kur po kërcënohet një arritje historike e Shqipërisë; çelja e negociatave me Bashkimin Europian. Po kërcënohet nga brenda Shqipërisë, po kërcënohet pikërisht nga frika prej Reformës në Drejtësi, e kthyer në një politikë të dëshpëruar destruktive, që ne si qeveri nuk ka çfarë na bën, por që Shqipërisë mund t’i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm.

Është shumë e rëndësishme që njerëzit sot ta dinë se ky stacion i 6-mujorit të parë të vitit është një stacion optimal, për të pozicionuar më në fund Shqipërinë, aty ku prej vitesh e vitesh, ne aspirojmë përmes të gjithë këtyre proceseve në tryezën e familjes europiane, si një vend që negocion anëtarësimin.

Strategjia e Zgjerimit e Komisionit Europian, e cila do të bëhet publike në shkurt, hedh poshtë të gjitha ato parashikime të zymta që u bënë se Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesë e Strategjisë, ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia mbeteshin jashtë, pasi Shqipëria është pjesë e Strategjisë së Zgjerimit, njësoj si Serbia, Mali i Zi, që ndërkohë negociojnë. Ky stacion duhet të konfirmojë vullnetin tonë për të mos kompromentuar strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Europian nga brenda vendit tonë, diçka e paimagjinueshme dhe e pangjashme me asgjë në historinë e proceseve të kalimit të vendeve ish komuniste në familjen e bashkuar europiane.

Jemi në kushtet kur bëmë një Reformë në Drejtësi që të tjera vende e kanë bërë më parë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, por ku jemi rasti i parë, unikal, që Reforma në Drejtësi nuk shqetëson qeverinë, por shqetëson opozitën dhe ku opozita kërkon të kapet pas çdo mundësie dhe të fshihet pas çdo alibie, për të krijuar një situatë politike bllokuese, me qëllim bllokimin e Reformës në Drejtësi.

Pse ky stacion është optimal?

Sepse vitin e ardhshëm ka zgjedhje europiane për të gjithë hierarkinë e Brukselit. Në një vit zgjedhor, ne s’mund të presim që gatishmëria që është sot për të na i hapur dyert, - duke provuar ne, deri në fund, se jemi seriozë si shtet, jo si qeveri, si vend, jo parti, si populli përfaqësuar nga të gjithë në njërën anë dhe në anën tjetër, jo si një pjesë, - të kërcënohet, sepse vitin e ardhshëm nuk ka më kohë dhe vëmendje njeri të merret me ne, në rast se ne, me duart tona i hapim vetes një gropë mu në pragun e derës ku çelen negociatat për anëtarësim.

Prandaj, unë dua sot t’i bëj një thirrje Partisë Demokratike dhe kryetarit të Partisë Demokratike: Nuk jemi këtu për të përdorur negociatat, që opozita të mos bëjë punët e veta dhe opozita të mos bëjë protesta. Opozita është e lirë të bëjë punët e veta, siç i mendon vetë dhe të imagjinojë të gjitha protestat e mundshme dhe të imagjinueshme. Por, nga ana tjetër, opozita, ajo që është në parlament, është përfaqësuese e një pjese të popullit që është në jetën e përditshme të Shqipërisë reale, në të njëjtin pozicion me pjesën tjetër të popullit. Opozita duhet të përfaqësojë me dinjitet, në këtë moment, ambicien e atyre që e kanë votuar për të çelur negociatat për anëtarësim. Nuk mundet dot opozita të bëhet problemi i Shqipërisë në këtë proces, ndërkohë që ne po punojmë intensivisht. Nuk është një proces që është 100% i sigurt sot. Është një proces që duhet të garantohet 100% në momentin e marrjes së vendimit. Jemi duke punuar me disa shtete anëtare që kanë shqetësimet dhe rezervat e veta, që lidhen kryesisht me problemet e tyre të brendshme dhe çdo gjë që ndodh në Shqipëri dhe që krijon një justifikim për të mos u marrë me Shqipërinë në këtë moment, mund të kthehet në një arsye për të na penguar. Është e paimagjinueshme që arsyen për të na penguar, ata që duhet të marrin vendimin ta gjejnë brenda Shqipërisë dhe ta gjejnë tek qëndrimi krejtësisht i papranueshëm i opozitës dhe tek ato shfaqjet e paimagjinueshme për botën normale demokratike europiane, me fishekzjarrë stadiumi dhe me çizme që përdoren si sende të forta në luftën politike.

Thirrja nuk është thjesht e vetëm për të larë gojën, por është për të përsëritur atë që e kam thënë dhe e kemi thënë qysh në fillim; Ne jemi këtu për të qeverisur, ata janë këtu për të bërë opozitë. Nuk jemi këtu për t’i përzier detyrat, por së bashku kemi një detyrë që na kapërcen, që është detyra për të ulur Shqipërinë në tryezën e negociatave. Natyrisht, qeveria ka pjesën e saj, që është pjesa më e madhe, opozita ka pjesën e saj, që është një pjesë më e vogël, por, sado e vogël qoftë pjesa e opozitës, nëse nuk është aty plotësisht, krijon një boshllëk ku mund të ndodhë që Shqipëria të bjerë në vakum dhe të mos e realizojë këtë aspiratë që është vetëm pak muaj larg, pas kaq e kaq vitesh përpjekje e pritshmëri. 

Në këtë aspekt, unë jam absolutisht i gatshëm të nënvizoj se për ne, çelja e negociatave sigurisht është një satisfaksion i jashtëzakonshëm, por nuk është një triumf partiak. Siç nuk e kthyem në një triumf partiak marrjen e statusit kandidat, pas aq shumë vitesh refuzime, nuk kemi ndërmend të kthejmë në një triumf partiak çeljen e negociatave. Do të ishte dhe duhet të jetë triumfi i Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm ta ndajmë me opozitën, bashkërisht. Por opozita duhet të dëgjojë jo neve, por zërin e Shqipërisë sot. Nuk mundet më të na vendosë në pozitën stërsekëlldisëse, që të shpjegojmë sjelljet dhe retorikën e saj, që fatkeqësisht nuk ka absolutisht asnjë lloj rezonance, as brenda familjes politike europiane të Partisë Demokratike.

Për të kaluar te 100 ditët e para, unë dua të them se, së pari nuk diskutohet që njerëzit kanë një pritshmëri të jashtëzakonshme. Pritshmëria e jashtëzakonshme lidhet edhe me padurimin e natyrshëm, për t’i parë gjërat që ne jemi zotuar, të bëhen menjëherë, duke filluar nga administrata, duke filluar nga shërbimet në sportele, duke filluar nga mënyra si reagon qeveria apo qeverisja jonë, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin vendor, ndaj kërkesave dhe ankesave të tyre. Jemi shumë larg asaj që jemi zotuar dhe asaj që njerëzit presin, por me reformën e derregullimit, me shkurtimin drastik të dokumenteve, lejeve, licencave do të bëjmë një hap të madh përpara, duke shkurtuar në mënyrë drastike kohën e humbur për të marrë një shërbim dhe korrupsionin që shoqëron dhënien e shërbimeve.

Nga ana tjetër, pavarësisht se të dhënat e financave dhe të ekonomisë janë shumë inkurajuese, vazhdoj them se ne duhet ta kemi të qartë se njerëzit nuk hanë shifra. Patjetër që rritja ekonomike është përshpejtuar dhe pritshmëritë janë që në vitin 2017, ajo të jetë rreth 4%, që është 4-fishi i rritjes ekonomike qysh prej ditës së parë që ne morëm detyrën; Patjetër që ka një ulje drastike të taksave, qoftë për të punësuarit në sektorin publik privat, qoftë për bizneset e vogla, të cilat kanë zero taksë. Por pritshmëria është për shumë më tepër. Këtu ka diçka për të nënvizuar lidhur me bashkitë, të cilat kanë ezauruar hapësirën e çliruar nga ulja e taksave qendrore, duke rritur taksat vendore. Kjo është diçka që ne duhet ta shohim me kujdes dhe ta korrigjojmë hap pas hapi, natyrisht, duke marrë në konsideratë edhe nevojat e bashkive për të pasur më shumë të ardhura.

Edhe punësimi ka shënuar statistikisht të dhëna pozitive. Ka një rënie të papunësisë me 1.1%, krahasuar me një vit më parë. Janë 21 mijë punësime të ndërmjetësuara vetëm nga zyrat e punës në vitin 2017. Nga ana tjetër, sfida jonë është rritja e pagave, sepse pagat mbeten të ulëta në sektorin privat. Ka një numër të frikshëm të punësuarish që paguhen në të zezë akoma, pjesërisht, duke iu dhënë rroga që janë minimale, edhe pse ata në punën e tyre bëjnë ekonomistin, inxhinierin, juristin e kështu me radhë. Edhe ky është një problem shumë i madh.

Borxhi publik është në rënie.

Eksportet janë në rritje.

Kreditë e këqija, që ishin një problem dramatik kur ne morëm detyrën, janë ulur në nivelin e tyre minimal, 14.7% dhe ulja vazhdon.

Kemi miratuar një rritje të investimeve publike për këtë vit, me një vlerë rekord.

Në këto 100 ditë kemi 6147 biznese të reja të regjistruara, që e çojnë numrin e bizneseve të reja për 2017-ën në 18 885.

Të gjitha këto shifra janë domethënëse, por përtej shifrave, ne duhet të jetojmë përditë me pulsin e një vendi që nuk ndihet mirë, sepse me të drejtë kërkon më shumë në çdo aspekt. Jemi shumë të bindur që fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi do të sjellë një lehtësim të madh, ashtu sikundër jemi shumë të bindur që reformat që po çojmë përpara do të sjellin shumë më tepër energji në ekonomi, por e rëndësishme është që të kemi kapacitet komunikues dhe kapacitet mirëkuptues.

Ndërkohë është e pafalshme, nëse i referohemi platformës së bashkëqeverisjes, janë qindra e qindra raste të zgjidhura, të cilat mund të mos ishin zgjidhur kurrë; Halle njerëzish të zakonshëm që e kanë përplasur kokën dhe kanë mbetur pas derës së administratës për vite të tëra. Këtu duhet të çojmë përpara praktikën, që ka kthyer në rregull Ministria e Drejtësisë, në çdo ministri, jo vetëm të zgjidhin problemin e kujt ankohet, por të ndëshkojnë punonjësin, apo punonjësit që e kanë krijuar problemin. Kjo është themelore.

Duke vazhduar me ekonominë, jemi sot në kushtet kur mund të themi se kemi një bazë të arsyeshme optimizmi, për të çuar shumë më shpejt përpara punët në fshat dhe për të rritur shumë më shpejt dhe në mënyrë shumë më të qëndrueshme eksportet, punësimin dhe mirëqenien në fshat.

Për këtë arsye besoj se do na ndihmojë nga njëra anë, rritja e konsiderueshme e financimit të fermerëve, që këtë vit është në një shifër rekord, skema e re pa dokumente, por me vetëdeklarim dhe dhënia e financimit, jo në mënyrë selektive, por në mënyrë qartësisht të përcaktuar dhe transparente për një numër të caktuar produktesh, bazuar në strategjinë e rritjes së eksporteve, rritja e mëtejshme e kapaciteteve ujitëse, por dhe krijimi i të gjithë sistemit të informimit me sportelet unike në të gjitha bashkitë, - siç u mor angazhimi, janë hapur 5 sportelet e para, por këtë vit duhet të kemi sportele unike në të gjithë Shqipërinë, - bashkëpunimi shumë i ngushtë më bashkitë për të rritur investimet në fshat, duke stimuluar bashkimin e fermerëve me incentiva dhe mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga qeveria, nga Fondi Kombëtar i Garancisë, nga fondet e Bashkimit Europian, të cilat do të jenë të disponueshme nga pranvera e këtij viti, sipas të gjitha gjasave dhe çuarja përpara e betejës për sigurinë ushqimore.

Është bërë një hap i madh përpara me thertoret. Fillon hapi tjetër për qumështin. Do të jetë një betejë e vështirë, por është një betejë e domosdoshme. Nuk mund të ankohemi për pasigurinë ushqimore dhe të vuajmë pasojat e pasigurisë ushqimore dhe pastaj të fillojmë të vëmë kujën, pse u mbyll kjo thertore jashtë standardeve, apo pse u ndalua shitja e qumështit jashtë standardeve. Këto të dyja nuk shkojnë bashkë.

Patëm një provë të madhe të një organizimi të eficencës me përmbytjet e fundit dhe në këtë aspekt dua të nënvizoj punën parandaluese të bërë nga Ministria e Energjisë, për të mbajtur në funksion të gjitha hidrovoret dhe sigurisht, aty janë dhe të gjithë komponentët e tjerë që i kemi thënë. Ajo që është e rëndësishme është se kemi filluar tani, me Ministrinë e Bujqësisë, programin për të adresuar drejtpërdrejtë të gjitha pikat e dobëta të konstatuara gjatë përmbytjeve të fundit, në mënyrë që ta mbyllim të gjithë zinxhirin e pikave të dobëta dhe të kemi një kapacitet mbrojtës të plotë, jo të pjesshëm, siç e kemi aktualisht sot, falë investimeve që kemi bërë pas përmbytjeve të vitit 2015.

Përsa i përket një prioriteti të madh, që është dhe prioritet kryesor i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, vendosjes së ligjshmërisë në sektorin e ujit, dua t’iu bëj thirrje këtu, të gjithë kryetareve të bashkive, që kush do bëjë politikë personale, me idenë që të mos prishem me këtë apo atë për zgjedhje, t’i shkel syrin këtij apo t’i shkel syrin atij, nuk do jetë kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Një nga kriteret themelore për të mbështetur kandidaturat e zgjedhjeve të ardhshme lokale do jetë suksesi i reformës së ujit i kryetarëve të bashkive. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Lojë të vjetër me dy porta, që, nga një anë, qeveria kërkon të implementojë një reformë dhe kërkon të vendosë ligjshmëri dhe nga ana tjetër, bashkia luan duke shkelur syrin “he se s’ka problem, le të vjedhin ca ujë, se na duhen për vota”, nuk do pranojmë. Sigurisht që me forcë nuk mund t’i imponohemi askujt, por rezultatet e reformës dhe vendosja në binarët e ligjshmërisë e të gjithëve në raport me ujin, do të jenë kriteri i parë, për të dhënë mbështetje për rikonfirmimin e atyre kryetarëve të bashkive të Partisë Socialiste, që aspirojnë të marrin një mandat tjetër. Ta kemi shumë të qartë këtë gjë.

Ashtu sikundër duhet të kemi shumë të qartë, edhe faktin se në një proces të tillë nuk mundet më të vazhdojmë me shkelje brutale të të drejtës së fëmijëve, për të pasur arsimtarët e duhur nëpër çerdhe dhe nëpër kopshte. Bashkitë nuk respektojnë kriteret e vendosura nga qeveria për cilësinë profesionale të edukatoreve të çerdheve dhe kopshteve. Është skandaloze. Ndërkohë që me Ministrinë e Arsimit kemi përfunduar sipas objektivit të 100-ditëshit të parë, dixhitalizimin e plotë të procesit të rekrutimit dhe të emërimit, apo zëvendësimit të mësuesve dhe kjo vlen jo vetëm për mësuesit, por dhe për edukatorët. Është fyese që të lexosh mesazhe të panumërta edukatorësh që i kanë plotësuar kriteret dhe refuzohen nga bashkitë për qëllime thjesht dhe vetëm klienteliste, partiake, quajeni si të doni, të cilat i paguajnë fëmijët që shkojnë në çerdhe dhe në kopshte me edukatorë që nuk janë për atë punë. Ndërkohë që edukatorët që janë për atë punë lihen rrugëve pa punë. Kjo duhet të mbarojë. Kjo është thirrje për të gjithë kryetarët e bashkive të Partisë Socialiste në radhë të parë, se nuk kemi çfarë i bëjmë as Vorës, as Kamzës dhe as disa bashkive të tjera nga ku kam pafundësi mesazhesh nga gra të lëna rrugëve, edhe pse plotësojnë kriteret për edukatore dhe në shkelje të Udhëzimit të Ministrisë. Portali do të bëhet ligj dhe nuk do këtë më asnjë mundësi abuzimi, siç ka pasur me ato kontratat e përkohshme, zëvendësimit etj., edhe pse janë shkurtuar në mënyrë drastike.

Ndërkohë reforma e Drejtorive Arsimore do të hyjë tani në fazën e zbatimit. Nuk do kemi më Drejtori Arsimore të organizuara si sot. Do kemi 4 Drejtori Arsimore të Përgjithshme dhe pastaj të tjerat do të jenë Zyra Arsimore që nuk do merren më me kë do fusim në punë, kë do heqim nga puna, sepse këtë do të përcaktojë vetëm merita e mësuesve nëpërmjet portalit, por do merren vetëm me standardet. Ashtu sikundër do kemi 4 Drejtori të Përgjithshme të Shërbimit Shëndetësor, po ashtu do kemi vetëm 4 Drejtori të Përgjithshme të Ekstensionit, pasi reforma për shkrirjen e drejtorive të bujqësisë fillon zbatohet në këta muaj të parë dhe të gjitha strukturat të tjera që sot janë drejtorira këtu e atje do të jenë zyra të një rrjeti shërbimi që do të merret drejtpërdrejtë me zbatimin e politikave, jo me tendera, jo me emërime e çemërime, jo me korrupsion e kështu me radhë. Kjo është reforma që po bëjmë.

Brenda 200 ditëve të ardhshme do të finalizojmë edhe reformën e madhe të inspektorateve, duke i dhënë fund bandave, siç jemi zotuar, të inspektorëve që shpërndahen çdo ditë nëpër Shqipëri për të vënë gjoba të të gjitha natyrave dhe duke krijuar një strukturë tërësisht të re, e cila do të jetë një strukturë e kombinuar, ku do të përfshihet prefektura, Ministria e Brendshme dhe ministritë e linjës do të kenë akses për implementimin e politikave të tyre. Jo secila ministria bandën e vet, që niset për të rrjepur miletin ku ti dali.

Besoj që edhe në këto 100 ditë janë bërë hapa të rëndësishëm për të vazhduar reformën në arsim. Gjithë ajo lemeri që u krijua në vitin 2016 për hyrjen në universitet ishte e gjitha një furtunë në gotë. Këtë vit, procesi ka qene optimal. Nuk ka pasur asnjë ankesë e asnjë mundësi për ta kthyer edhe një herë furtunën, nga e para, në kazanin e politikës dhe të mediave.

Ndërkohë, në këto 100 ditë janë testuar 20 000 mësues dhe janë 2 200 mësues që do të largohen nga sistemi për shkak të rezultateve të dobëta në testim. Sikundër 300 drejtues shkollash me performancë mizerabël janë larguar dhe janë zëvendësuar nga 300 mësues të renditur në vendet më të larta nga testimet e bëra nga Ministria e Arsimit dhe nga rezultatet në performancën e tyre. Ka filluar puna për të themeluar shkollën e drejtorëve të shkollave, për të pasur si në vendet normale, një shkollë menaxherësh publikë për shkollat për gjithë sistemin paraunviersitar.

Ka përfunduar akreditimi i universiteteve. Do të vazhdojë intensivisht puna për të thelluar më tutje Reformën në Arsim, edhe me një projekt që e kemi marrë nga platforma e bashkëqeverisjes. Një grup prindërish, mësues me background, na kanë propozuar një formulë të re për ndarjen e ngarkesës në orët mësimore në shkolla dhe është diçka vërtetë shumë e vlefshme që ne do ta adoptojmë e do ta kthejmë në një reformë të rëndësishme, që do të zgjidhë problemin e ngarkesës së orëve dhe ato super çantat me 6 libra për çdo ditë në shkollë.

Jemi akuzuar e do vazhdojmë të akuzohemi për shëndetësinë, por e vërteta është që çfarë ka bërë Partia Socialiste në këto 4 vjet që ikën e në këto 100 ditë të para për shëndetësinë nuk është bërë nga askush, në të gjitha vitet e tjera të mbledhura sëbashku. Me fakte, jo me fjalë. Fjalët i merr era, faktet janë në jetën e përditshme të të gjithë njerëzve që kanë akses në këtë sistem, që ka shumë ende për të përmirësuar, por që sot është në një nivel tjetër. Për fat të keq jemi përballë një shfrenimi të madh propagandistik lidhur me këtë sektor, sepse është një sektor shumë i ndjeshëm dhe që ka shumë probleme. Megjithatë, duke mos e mohuar se kemi shumë për të bërë akoma, kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë atë çka të tjerët nuk e kanë bërë.

Edhe këtu i kthehem prapë historisë së meritës, kompetencës dhe mënyrës sesi rekrutohen profesionistët në këtë vend, do të lancojmë në ditët e ardhshme, portalin e infermierëve për Shqipërinë. Nuk do të ketë më histori me infermierë që emëron partia, me infermierë që vijnë nga rruga e partisë dhe që ngatërrojnë gjilpërën me gozhdën. Infermierët do të testohen, në bazë të testit do marrin pikët e në bazë të pikëve do të rekrutohen në të gjitha pikat e shërbimit të Republikës së Shqipërisë. Kush ka nevojë të rekrutojë infermierë i drejtohet portalit dhe nuk i drejtohet partisë, fisit apo fshatit. Kështu do të marrë fund historia e flakjes në rrugë e infermiereve që kanë 20 vjet e 30 vjet eksperiencë e që u thuhet ikni, sepse erdhi partia jonë këtu dhe është një këpucar që do vijë ta bëjë derën tënde me çekiç e me gozhdë. Ashtu sikundër do t’i jepet mundësia të rinjve dhe të rejave që të marrin atë që ju takon sipas meritës. Ky është një hap i rëndësishëm, për të rritur cilësinë e shërbimit e për të rritur dinjitetin e figurës së infermierëve në këtë sistem.

Nuk po zgjatem me paketat e reja falas e me të tjera gjëra që janë bërë në këto 100 ditë, por po qëndroj tek fakti që kemi bërë një lehtësim drastik të procedurave dhe për këtë kemi pasur një pafundësi ankesash nga deputetë, nga kryetarë bashkish, nga qytetarë, nga kudo ku e kemi hasur problemin për paaftësinë dhe për pagesën e paaftësisë. Për atë KMCAP-në e famshme; Komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë për punë, që ishte një tmerr. Besojmë që me këtë reduktim drastik të procedurave do të ketë shumë më tepër shpejtësi dhe shumë më tepër transparencë dhe drejtësi në dhënien e pagesës së paaftësisë.

Patjetër duhet të jemi krenarë për faktin që i dhamë fund historisë së kanabisit, por ajo që është shumë e rëndësishme të thuhet sot, është se në këto 100 ditë është bërë një vlerësim i Strategjisë Kombëtare të Luftës Kundër Kanabisit dhe do të adresohen të gjitha ato aspekte që kërkojnë përmirësim, në mënyrë që arritja e këtij viti dhe vitit që shkoi të konsolidohet përfundimisht në vitin ku kemi hyrë. Dhe për këtë, gjithçka është bërë në bashkëpunim me ekspertët e BE dhe SHBA, ashtu sikundër edhe për anën tjetër të kësaj beteje, që është faza e dytë për operacionin “Forca e ligjit”.

Gjëja që nuk duhet harruar është se përtej mjegullës së rëndë të propagandës që ka rënduar jashtëzakonisht shumë mbi publikun dhe mbi uniformat e Policisë së Shtetit, ne kemi pasur në vitin 2017, zbulueshmërinë më të lartë të veprave të rënda penale në vend, shifrën më të ulët të vrasjeve në historinë e tranzicionit, qëkurse mbahen statistikat dhe rënie në minimum historik të vjedhjeve me pasojë vdekjen, apo të krimeve ndaj pronës. Këto janë të dhëna konkrete, reale. Ndërkohë, reforma e Policisë së Shtetit do të vazhdojë duke sjellë këtë vit, një risi të rëndësishme të policimit në komunitet dhe duke krijuar një rrjetëzim shumë më efikas të marrëdhënieve mes komuniteteve dhe Policisë së Shtetit, që do të jetëshumë më e angazhuar, falë edhe reformës së inspektorateve, jo vetëm në luftën kundër krimit, por edhe për mbrojtjen e pyjeve, mbrojtjen e lumenjve, mbrojtjen e mjedisit, në luftën për mbrojtjen e pronës publike dhe private, pra, në kontrollin tërësor të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Lidhur me atë çka kemi bërë në këto 100 ditë për të adresuar një nga problemet më të rënda që kemi trashëguar, ai në sistemin e burgjeve. Sistemi i burgjeve i Republikës së Shqipërisë është një nga trashëgimitë më të rënda historike, por dhe një pjesë shumë e rëndë e trashëgimisë së koalicionit. Në atë çka kemi bërë, na është dashur të adresojmë paralelisht, jo vetëm trashëgiminë, por edhe problemin kulturor brenda nesh, që tani burgjet ikën nga LSI e do i marrë PS. Kjo nuk ka për të ndodhur. Për këtë arsye kemi vendosur kritere shumë të rrepta e në ditët në vijim, ministrja e Drejtësisë do të shpallë të gjithë drejtuesit e rinj të burgjeve, bazuar në konkursin e organizuar dhe me prioritet të veçantë tek ushtarakët me eksperiencë të suksesshme në Forcat e Armatosura dhe me rol të rëndësishëm organizativ.

Në këtë pikë dëshiroj jo mirëkuptimin, por dëshiroj qartësinë e të gjithë deputetëve, në radhë të parë, që burgjet nuk janë degë partie, nuk janë zyra partie. Ato që i kemi thënë njerëzve atje, unë ia kam thënë me bindje. Uroj që të gjithë t’ia kenë thënë me bindje, që nuk duam të marrim tepsinë të gjithë për vete, por duam që tepsinë ta çojmë për skrap. Nuk duam që burgjet t’i marrim nga oborri i LSI e t’i çojmë në oborrin e PS, sepse gjendja e trashëguar në burgjet e Shqipërisë është një gjë e pabesueshme. Për këtë arsye, edhe një numër i konsiderueshëm drejtuesish dhe punonjësish të burgjeve, jo pak, por afro 130 vetë kanë shkuar për ndjekje penale e të tjerë do shkojnë për ndjekje penale. Ndërkohë që për burgun e ri në Shkodër, që pritet të hapet, gjithë përzgjedhja e personelit është bërë dhe do të përfundojë përmes testimit të të gjithë atyre që pretendojnë në Akademinë e Sigurisë. Vetëm kështu, ne mund të kemi një sitëm burgjesh të besueshëm, të sigurt e europian dhe jo një sistem tepsie në burg.

Po bëjmë progres dhe brenda 300 ditëve do ta mbyllim dhe reformën e madhe që kemi premtuar për titujt e pronësisë, për të bashkuar ALUIZNI-n me hipotekat e për të pasur një agjenci kombëtare të titujve të pronësisë. Por dua ta nënvizoj këtu se objektivi për dhënien e titujve të pronësisë në fshat është objektiv parësor e këtu, angazhimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe gjithë bashkive nuk është ende në nivelin e dëshiruar. Nuk mundet më të vazhdojë historia, mbas këtyre 4 viteve, kam apo nuk kam certifikatë pronësie në fshat. Kjo çështje duhet të mbyllet.

Dua të nënvizoj edhe çfarë kemi bërë, por edhe çfarë presim në radhë të parë nga turizmi. Duhet të kemi parasysh që shifrat janë shumë inkurajuese. Të ardhurat nga turizmi janë në rritje të vazhdueshme. Nga ana tjetër, zotimi për të pasur sezonin më të suksesshëm turistik vitin e ardhshëm është një zotim që duhet mbajtur e do të mbahet, bazuar tek puna që është bërë e po bëhet nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, kryetarët e bashkive e të tjera agjenci që janë përfshirë në këtë proces. Duke zhvilluar paralelisht punën për pastrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, që ka nisur dhe që pjesë-pjesë shtrihet sipas një kalendari të miratuar nga ministri në të gjithë territorin e Shqipërisë, për të pasur sezonin më të pastër turistik dhe duke përfunduar organizimet, për të pasur një sezon që të mos jetë vetëm det, diell, rërë dhe qofte, por të ketë edhe një tërësi aktivitetesh që kanë të bëjnë me traditën e kulturën e zonave dhe me të gjithë elementët që pasurojnë një sezon turistik për një familje vendase apo të huaj.

Edhe një herë dua ta kap aty ku e nisa, tek domosdoshmëria për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Është një domosdoshmëri historike, është një shans historik dhe një moment kushtesh historikisht shumë të favorshme, për 1001 arsye. Prandaj, nga ana jonë duhet të bëjmë gjithçka e do bëjmë gjithçka për të vazhduar me seriozitetin më të madh të gjitha reformat e nisura në çdo drejtim e pa u ndalur për asnjë çast.

Taulanti bëri një pasqyrë bujare me gjithë notat kritike të gjendjes së sotme organizative të partisë. Duhet t’i adresojmë të gjitha ato probleme, që janë shumë më tepër se ato që u thanë në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe duhet të fokusohemi të gjithë tek Platforma e Bashkëqeverisjes, që është platforma e koalicionit tonë të sotëm dhe koalicionit fitues të nesërm të zgjedhjeve. Për këtë arsye, deputetët, kryetarët e partisë, të gjitha degët e partisë duhet të organizohen aktivisht, në mënyrë që të krijojmë kontakt të drejtpërdrejtë mes qytetarëve që kanë nevojë për të zgjidhur një problem dhe qeverisë. Kjo gjë tanimë është e provuar. Të gjitha rastet adresohen, shumica dërrmuese e tyre zgjidhen. Ka raste që nuk janë raste të zgjidhshme, për arsye vendimesh gjyqësorë etj., por shumica dërrmuese zgjidhen dhe sa më shumë zgjidhje për njerëzit e zakonshëm, aq më shumë fuqi për koalicionin tonë me njerëzit e zakonshëm.

Edhe një herë, ju uroj të gjithëve një vit të mbarë! Ju uroj që në këto 6 muaj dhe posaçërisht, në 200 ditët e mbetura të 300-ditëshit të parë të bëjmë të gjitha ato që kemi marrë përsipër. Qeveria nuk diskutohet, grupi nuk diskutohet, por dhe partia nuk duhet të diskutohet në këtë aspekt, sepse zgjedhjet e ardhshme, zgjidhjet vendore do të jenë një sprovë e madhe. Do të jenë një sprovë që nuk do jetë çështja, a do ta fitojmë, apo nuk do ta fitojmë, sepse ne do ta fitojmë, por çështja është si do ta fitojmë, me çfarë cilësie dhe me çfarë rezultatesh të marra nga ky proces qeverisës dhe bashkëqeverisjes me njerëzit, jo thjesht me sa vota, këtu apo atje.

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm