Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 5 prioritetet kyçe na vendosin në një pozicion të favorshëm, pasi në momentin që flasim, Shqipëria konsiderohet se i ka kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë

Të reja

5 prioritetet kyçe na vendosin në një pozicion të favorshëm, pasi në momentin që flasim, Shqipëria konsiderohet se i ka kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë

29 Jan 2018    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin javor të grupit kuvendor të PS:

Duke qenë se javën e shkuar, së bashku me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme kemi pasur një aktivitet të rëndësishëm në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, e shikoj të udhës që t’ju bëj një pasqyrë të përmbledhur të këtij aktiviteti. Besoj se ka edhe interes publik, duke pasur parasysh faktin se nga të gjitha takimet dhe kontaktet që ne patëm, një sërë temash, të lidhura me ecurinë e procesit për çeljen e negociatave, me hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet me Greqinë, me progresin e bërë në kuadrin e Procesit të Berlinit për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, meritojnë një vëmendje të caktuar.

Së pari dëshiroj t’ju them se në të gjitha takimet dhe në kontaktet e kryera gjatë këtyre tre ditëve intensive ishte krejt e qartë për ne, se Shqipëria është një hap afër çeljes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Reforma në Drejtësi, fillimi i punës për vetting-un dhe mbi të gjitha, qartësia se tanimë ky është një proces që nuk ka shans të pengohet, apo bllokohet, janë një bazë shumë solide për marrjen e një rekomandimi të pastër nga Komisioni Europian dhe për miratimin nga Këshilli Europian të çeljes së negociatave për anëtarësim.

E theksoj që qartësia e krijuar tek të gjithë aktorët dhe faktorët kyç në raport me çeljen e negociatave, lidhur me pamundësinë e bllokimit politik të reformës në drejtësi, të vetting-ut, e konsoliduar me zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme dhe me vetë procesin e formimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, përbëjnë një arsye shumë të fortë për Bashkimin Europian, për ta parë me optimizëm nga ana jonë, fillimin e procesit historik të negociatave.

Sigurisht, jo vetëm ky aspekt, por edhe aspektet e tjera që lidhen me 5 prioritetet kyçe na vendosin në një pozicion të favorshëm, pasi në momentin që flasim, Shqipëria konsiderohet se i ka kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë.

Patjetër që nuk ka një moment ndalimi dhe i gjithë procesi vazhdon ditë për ditë, që do të thotë se progresi i shënuar për të 5 prioritetet, rezultati spektakolar në luftën kundër kanabisit dhe të gjitha hapat që janë hedhur e do vazhdojnë të hidhen me përpikmëri, në raport me të gjithë kalendarin e detyrave, përbëjnë njëkohësisht edhe një arsye të fortë, për ta ndarë me opinionin publik, të vërtetën e thjeshtë se fantazitë e ushqyera nga frika e një pjese të spektrit politik dhe propaganda për, medemek, kapjen e drejtësisë janë dokrra. Janë dokrra, se po të ishte ndryshe, askush e jo më pastaj Bashkimi Europian apo Shtetet e Bashkuara nuk do të lejonin shfaqjen më të vogël të përpjekjes për të kapur drejtësinë.  

Në këto kushte dua ta rinënvizoj edhe një herë, domosdoshmërinë që, ndërkohë që opozita ka të gjithë të drejtën e saj të ketë një kalendar dhe një axhendë që nuk përputhet me fokusin 100%, që e gjithë klasa politike duhet të ketë në këtë proces për ta garantuar hapjen e negociatave, ne kemi detyrimin të vazhdojmë të përpiqemi për të krijuar kushte për dialog me opozitën. Sigurisht që dialogu zhvillohet mbi tema të interesit kombëtar, të interesit publik, të interesit të përbashkët të të gjithë përfaqësuesve politikë të popullit shqiptar. Nëse në temën e drejtësisë, opozita ka qenë vijimësisht në një pozicion antihistorik, kjo sigurisht është një përgjegjësi e saj, por shpresoj dhe uroj që në temën e reformës zgjedhore të ketë dialog, të ketë proces dhe të ketë një sens urgjence nga palët, për të mos i lënë çështjet e reformës zgjedhore për në momentin e fundit.

Po ashtu, ne jemi të hapur dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm që edhe në tema të tjera, ku opozita do të kërkojë dialog dhe mirëkuptim, asnjëherë të mos jetë shumica jonë problemi.

Dua po ashtu të vë në dukje se jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në dialogun me Greqinë. Ashtu sikundër e shprehu publikisht edhe Kryeministri grek, pajtohem me përshtypjet se momenti i nënshkrimit të një dokumenti të ri partneriteti strategjik mes Shqipërisë e Greqisë është shumë afër. Natyrisht dua të presim përfundimin e shkruar të këtij procesi dialogu dhe negociatash për një sërë temash që prekin harkun e 70 viteve, duke filluar nga ligji absurd i luftës, por edhe duke vazhduar me tema që për ne kanë qenë të një rëndësie të veçantë, si marrëveshja për kufirin detar, apo garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve shqiptarë e posaçërisht të atyre që i përkasin komunitetit çam për të pasur lëvizje të lirë dhe të papenguar nga historitë e së shkuarës e për të pasur akses të plotë ligjor lidhur me çdo pretendim përsa i përket të drejtave të pronësisë.

Njëkohësisht po konkludojmë me shumë pozitivet edhe një aspekt tjetër të procesit, që ka të bëjë me lehtësimin e të gjithë marrëdhënieve që kushtëzojnë komunitetin e madh të shqiptarëve që kanë emigruar në Greqi, në aspektin e burokracive, në aspektin e lëvizjes. Besoj që përfundimi i procesit dhe garantimi i këtyre marrëdhënieve përmes vënies, më në fund, në funksionim të të famshmes vulës apostile dhe po ashtu, edhe përmes përfundimit të një marrëveshjeje mes dy Ministrive të Brendshme lidhur me administrimin e pikave doganore përbëjnë një hap të konsiderueshëm përpara.

Nga ana tjetër, ne e shohim me shumë simpati edhe ecurinë pozitive të procesit të dialogut mes fqinjëve tanë jugorë dhe Maqedonisë. Urojmë e shpresojmë shumë që të ketë një finalizim të negociatave të vështira, që do t’i hapnin rrugë Maqedonisë me një emër të dakordësuar për të rifilluar procesin e ndërprerë të integrimit europian dhe të integrimit të plotë në NATO.

Në këtë pikë dua të shtoj se e ndjekim me shumë vëmendje edhe ecurinë e procesit për zyrtarizmin përfundimtar të gjuhës shqipe në raport me ligjin që kaloi Parlamenti maqedonas, duke shprehur keqardhjen për qëndrimin e Presidentit, por një qëndrim që nuk ishte as surprizë dhe që besoj nuk do të jetë as bllokues për një proces historik, si ai që po ndodh në Maqedoni nën lidershipin vizionar dhe europeist të Kryeministrit maqedonas.

Së fundi, nga njëra anë, nga biseda me Presidentin e Serbisë, ne mundëm të konstatojmë se vrasja e një përfaqësuesi të njohur të komunitetit serb në Kosovë nuk ka ndikuar negativisht në ecurinë e mëtejshme të dialogut mes Kosovës e Serbisë, që ne e mbështesim fuqimisht. E nga ana tjetër, sigurisht që në funksion të Procesit të Berlinit dhe të rritjes së bashkëpunimit rajonal në çdo aspekt, ne jemi besimplotë që tanimë po hyjmë në një fazë të re, ku, siç e konstatuam edhe në forumin e Davosit, ka një rritje shumë të ndjeshme të interesit të kompanive të huaja për të investuar në rajon e posaçërisht në Shqipëri.

Pasqyra e përgjithshme është një pasqyrë optimiste për të ardhmen e afërt. Sigurisht që çelja e negociatave do të impaktojë seriozisht edhe në aspektin ekonomik, siç ka ndodhur me Serbinë, me Malin e Zi, pasi një vend që negocion anëtarësimin është një vend me një besueshmëri shumë të lartë edhe për investitorët dhe negociatat me Bashkimin Europian përbëjnë një garanci të madhe në aspektin e ekuilibrave tërësorë të zhvillimit demokratik të vendit.

***

Dy pika të rëndësishme, duke shfrytëzuar edhe transmetimin e mbledhjes për opinionin publik, janë së pari, pasja në dispozicion e një fondi që, kombinuar kontributi i Bashkimit Europian dhe kontributi i buxhetit të shtetit, përbëjnë fondin më të madh që fshati, fermerët kanë pasur ndonjëherë në dispozicion. Duke u ndalur tek pjesa e parë, që është dhe pjesa e luanit në këtë fond që shkon afro 100 milionë euro dhe që ka të bëjë me fondet e Bashkimit Europian, unë do kërkoja angazhimin e drejtpërdrejtë të të gjithë deputetëve që mbulojnë zona rurale, për të pasur një axhendë intensive komunikimi me familjet fermere, me grupet e ndryshme të tyre, lidhur nga njëra anë, me informimin në detaje të këtij programi shumë agresiv investimesh në bujqësi dhe nga ana tjetër, me garantimin e një ure lidhëse mes qeverisë, pushtetit vendor dhe fermerit. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi duhet të kemi parasysh që fondet e Bashkimit Europian nuk janë dhurata, është grant, por çdo euro jepet mbi bazën e një projekti që përmbush të gjitha kriteret dhe nën një monitorim të rreptë të vetë strukturave përkatëse të Komisionit.

Duhet të kemi parasysh që eksperienca e vendeve të tjera që kanë hyrë në këtë program, - Shqipëria, më në fund arriti të ketë akses, falë gjithë punës së bërë nga ministri dhe nga AZHBR-ja, - na mëson se mungesa e përgatitjes së projekteve sjell edhe pamundësinë për të pasur akses në këto fonde.

Po ashtu është shumë-shumë e rëndësishme që të informohen fermerët lidhur me politikën që do të ndjekë qeveria për financimin në fshat dhe për financimin e aktivitetit prodhues. Është një politikë e re e përkthyer në një skemë të re financimi dhe informimi është baza për të zgjeruar aksesin e fermerëve në këto fonde.

Së dyti, jemi në përfundim të janarit, që do të thotë edhe në përfundim të afatit të lënë për të legalizuar lidhjet e paligjshme me sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm në të gjithë territorin e republikës. Informacionet nga terreni janë inkurajuese. Ka një numër të madh konsumatorësh që kanë legalizuar lidhjet e tyre. Mbetet ende një numër shumë i madh jashtë sistemit. Mesazhi është shumë i qartë, por edhe në këtë aspekt është themelore që çdo deputet i Partisë Socialiste të përfshihet drejtpërdrejtë me komunitetin, në funksion të rritjes së ndjeshme të cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm, duke bërë shumë të qartë se kjo është një reformë për të përmirësuar ndjeshëm një proces që historikisht ka qenë problematik, procesi i furnizimit me ujë të popullsisë. Është një reformë që, njësoj si reforma në energji, bazohet në parimin se ata që kanë paguar rregullisht nuk janë budallenj dhe ata që rregullisht kanë vjedhur ujin nuk janë të mençur. Ne jemi në krahun e atyre që kanë paguar rregullisht. Ata që kanë paguar rregullisht dhe paguajnë rregullisht nuk mund të vazhdojnë të paguajnë edhe për ata që s’paguajnë dhe nuk mund të privohen nga një shërbim cilësor 24 orë me ujë, për shkak se pjesa tjetër e vjedh ujin, duke cenuar rëndë funksionimin e përgjithshëm të sistemit. Është njësoj si një organizëm të jetë i sulmuar nga të katër anët dhe i pushtuar nga shushunja që i thithin gjakun. E natyrisht që do të ketë pamundësi për të kryer të gjitha funksionet e veta jetike.

Në të dyja këto aspekte, angazhimi i drejtpërdrejtë i deputetëve është themelor. Qoftë në aspektin e mbështetjes me informacion, por edhe mbështetjes konkrete për t’u ardhur në ndihëm fermerëve, së bashku me pushtetin vendor, për të pasur akses në financim; Qoftë në aspektin e ardhjes në ndihmë të të gjithë pjesës së shëndetshme të komunitetit që paguan rregullisht ujin dhe që s’ia ka borxh askujt, që të mos marrë shërbimin e merituar për kontributin që jep përkundër ujit që konsumon.

Dua ta bëj shumë të qartë se fillimi i operacionit ndëshkimor për vjedhësit e ujit do të materializohet me bizneset që vjedhin ujë, bizneset që kanë lidhje të paligjshme në sistem dhe që cenojnë furnizimin me ujë të komuniteteve, rreth e rrotull pikës së veprimtarisë së tyre. Do të jemi të pamëshirshëm me këdo që bën biznes duke vjedhur këtë pasuri të të gjithëve. Një pasuri nga ku njësoj si me energjinë, Shqipëria dhe shqiptarët duhet të marrin jo vetëm ujin, por edhe atë që një miradministrim i kësaj pasurie sjell në funksion të rritjes së mirëqenies së tyre.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm