PROGRAMI

Regjistrohu

Edi Rama Kur dolëm në rrugë kundër regjimit të vjetër pamë me sytë e mendjes një Shqipëri që ende nuk e kemi, pas thuajse çerek shekulli nga përmbysja historike. Por unë vazhdoj të besoj tek ajo që pashë atëherë edhe pse sot Shqipëria është kaq e varfër, e papunë, e pafuqishme ekonomikisht. Edhe pse sot Shqipëria është kaq e rrënuar, prej krimit që e godet përditë dhe korrupsionit që e shqyen ngado. Edhe pse sot Shqipëria është kaq larg ëndrrës së shqiptarëve për të jetuar në një atdhe europian, me shtet të së drejtës për të gjithë dhe me liri të garantuara për secilin.

Unë besoj sot tek një Rilindje Shqiptare, sepse besoj që ëndrra e vjetër e Shqipërisë Europiane, e cila frymëzoi rilindasit tanë dhe lindi shtetin tonë njëqind vjet më parë, është një ëndërr e destinuar të bëhet realitet. Ajo ëndërr, që e ushqeu parreshtur imagjinatën tonë për njëqind vjet me radhë, edhe në ditët e të zymta të historisë së vjetër e të re, është sot energjia e besimit tonë tek mundësia reale e një Rilindjeje Shqiptare.

Ky është idealizmi im realist.

Ne duam të bëjmë për Shqipërinë atë që shqiptarët që morën detin në këmbë, drejt Perëndimit, bënë për familjen e tyre. Me punë e sakrifica të jashtëzakonshme kapërcyen dallgët e frikshme të paragjykimeve, diskriminimit dhe margjinalizimit. Çanë përpara me kurajo të pashoqe, talent të admirueshëm, vullnet të palëkundur për t'ia dalë. Ngritën ekonominë familjare, siguruan arsimim më të mirë për fëmijët, u dhanë mbështetje jetike prindërve të tyre të moshuar. U integruan. Fuqia e ëndrrës së tyre për një jetë më të mirë, si të barabartë mes të barabartësh në Botën e Lirë, i rilindi si qytetarë të asaj bote ku sot janë bërë pjesë e pandarë dhe e respektuar.

E pra, ne duam ta bëjmë gjithë Shqipërinë pjesë të pandarë e të respektuar të Botës së Lirë duke e rilindur përmes forcës së lirisë, barazisë së mundësive për të gjithë dhe respektit për meritën e secilit.

Ne duam një Shqipëri të rilindur, me vlera të përbashkëta e qëllime të mëdha. Një Shqipëri moderne që nuk e njeh frikën nga e ardhmja dhe as kall pasiguri për të ardhmen në shpirtin e njerëzve të saj.

Ne duam ta rilindim besimin e njerëzve tek politika dhe duam t'u japim shqiptarëve një qeveri të mirë, që ta bëjë të mundur në realitetin e jetës së tyre Rilindjen e projektuar në programin tonë ambicioz. Asnjë parti politike në këto dy dekada dhe as ne vetë më parë, nuk e kemi pasur një program kaq të detajuar qeverisës përpara një ballafaqimi zgjedhor. Programi ynë për një Rilindje Shqiptare nuk është një program elektoral i radhës, po është kontrata jonë qeverisëse me shqiptarët.

Ne nuk kemi rënë nga qielli. Nuk jemi as të pagabueshëm. Prandaj ndryshe nga të tjerët, ne jemi gjithnjë të gatshëm të mësojmë nga gabimet tona. Ata flasin për ndryshimin, por koha ka provuar që nuk e sjellin dot ndryshimin, sepse nuk ndryshojnë dot vetë. Ndërsa ne jetojmë me ndryshimin. Dhe jemi të vetmit që mund ta bëjmë realitet ndryshimin që kërkojnë shqiptarët.

Unë vetë, vij në këtë ballafaqim kaq të rëndësishëm për Shqipërinë me bindjet e mia të thella dhe reflektimet e sinqerta në rrugën e vështirë të opozitës së penguar, të vjedhur e të vrarë. Vij për të fituar jo për vete, po për të udhëhequr përmes fitores transformimin që do ta bëjë më të mirë vendin tonë. Vij me bindjen e palëkundshme se mund ta qeverisim më në fund këtë vend në interesin e shumicës, në mbështetje të atyre që duan ta krijojnë mirëqenien me punë duke respektuar rregullat. E paralelisht në luftë pa kompromis me trashëgiminë e rëndë të rrënimit të institucioneve, kapjes së shtetit dhe përfitimeve të paligjshme, që pengon ndërtimin e Shqipërisë Europiane.

Por vij edhe me reflektimin mbi domosdoshmërinë e një qeverisjeje që ta bashkojë vendin rreth vlerave të përbashkëta e qëllimeve të mëdha. Duke garantuar në radhën më të parë paprekshmërinë e hapësirës së aktivitetit opozitar në politikë, media, shoqëri. Duke i dhënë parlamentit rolin e munguar në tërë këto vite si pushtet i përfaqësimit të popullit Sovran. Duke e vënë ekzekutivin nën kontrollin e parlamentit dhe në shërbim të interesit kombëtar e publik. Duke e vendosur gjyqësorin në kushtet që të japë drejtësi. Duke i kthyer komunikimit të qeverisë me publikun etikën e humbur ndër vite të tëra shpërdorimi të detyrës publike.

Shqipëria e rilindur është vendi ku të gjithë ndjehemi pjesë e një rrugëtimi të përbashkët, drejt një ëndrre që njëqind vjet më parë çoi në Shqipërinë e pavarur. Ndërsa sot na çon drejt Shqipërisë Europiane si pjesë tërësisht e integruar e Europës së Bashkuar.

  • Rimëkëmbje e Ekonomisë

    E refuzojmë një Shqipëri të varfër. Një model ekonomik ku burimet dhe energjia e vendit janë në shërbim të pak njerëzve. Hendekun që dita... Më shumë

  • Ripërtëritje e Shoqërisë

    Shqiptarët meritojnë shumë më mire. “Vdes i mbytur nga plehrat fëmija 13 vjeçar… Ermir Ujka… Djaloshi i cili ka qenë duke kërkuar për skrap... Më shumë

  • Rivendosje e Demokracisë

    Qeverisje nga qytetarët, për qytetarët “Jam njëri prej shumë intelektualëve dhe qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, që politikën e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë e... Më shumë

  • Ribashkim me Europën

    Rikthim në familjen europiane të cilës i përkasim “Tre shanse të humbura në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në fillimin e bisedimeve... Më shumë