Postuar më: 19/07/2010
Pesë ditë më parë, Kryeministri foli në mbledhjen e qeverisë dhe njoftoi se në atë mbledhje Qeveria do të miratonte 3.2 miliardë euro kredi për investime në infrastrukturë.
Ju lexoj njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave.
Unë kam këtu listën e vendimeve dhe të projekt-ligjeve të miratuara nga Qeveria në mbledhjen e datës 14 Korrik 2010.
Dhe ashtu siç njoftoi Kryeministri, siç thuhet edhe në njoftimin zyrtar Këshilli i Ministrave ka miratuar katër projekt-ligje për katër kontrata kredie.
Ja ku janë katër projekt-ligjet.
Ne u interesuam pranë këtyre institucioneve ndërkombëtare bankare dhe morëm prej tyre informacionin e saktë të vlerës së kredive.
Banka Europiane e Investimeve- 50 milionë euro
OPEC- 30 milionë dollarë
Banka Islamike e Zhvillimit- 10 milionë dollarë
Të gjitha së bashku: 82 milionë Euro
Kuvendit të Shqipërisë i duhet të miratojë sot një ligj, që redukton me 25% buxhetin e shtetit. Çdo familje shqiptare e ka bërë prej kohësh një gjë të tillë. Sepse buxheti dhe fuqia blerëse e shqiptarëve sot është reduktuar me 50%. Por, sa është në terma konkretë, reduktimi i buxhetit.
Buxhet që Sali Berisha para 6 muajsh e quante buxheti i bollëkut, sot duhet ta quajmë buxheti i kapsllëkut.
Po ju marr 2 ministri të kësaj qeverie.
Buxheti i Ministrisë së Integrimit, reduktohet me afro 278 milionë lekë (200 mijë Euro).
Është koincidencë. Sigurisht. Po 278 milionë lekë (200 mijë Euro) është fitimi i deklaruar i djalit të Kavalierit të qeverisë së kapsllëkut për vitin 2009.
Buxheti i Ministrisë së Ekonomisë, reduktohet me afro 2,5 miliardë lekë. Po 2,5 miliardë lekë (1.8 milionë euro) është fitimi i deklaruar nga Ministri i Ekonomisë.
I kërkoj sot Sali Berishës t’i shpjegojë shqiptarëve se çfarë pazari ka mbyllur me Ilir Metën një vit më parë, dhe sa është vlera. Një nga ministrat e pazarit për një vit ka përfituar 1.8 milionë Euro. A ka mundësi t’i tregoni shqiptarëve sa e keni mbyllur pazarin.
Nga 30 mijë euro borxh, për një vit Dritan Prifti ka fituar 1.8 milionë euro.
Dritan Prifti ka deklaruar se e ka mbyllur dhe nënshkruar kontratën e shitjes së aksioneve të FORTIS 2 më 31 dhjetor 2009. Sigurisht që duhet ta ketë mbyllur me telefon, firmën duhet ta ketë vënë dikush tjetër, sepse ky ndodhej në këtë datë në Turqi.
31 dhjetor 2009 – Shkodra kishte filluar të përmbytej.
Ne përfaqësojmë në këtë kuvend, zona shumë të varfra dhe me infrastrukturë shumë të vështirë transporti rrugor. A ka mundësi të më thotë Kryeministri se si ka mundësi që ka katër vjet që ka filluar Rruga Librazhd Stëblevë, ky ka ardhur ta përurojë katër herë dhe janë ndërtuar vetëm 4 km, nga 24.
Një miku im gazetar në një media italiane i cili po shkruan një shkrim investigativ për qeverisjen në Shqipëri, më tha pak ditë më parë se qeverisja në Shqipëri, është një vazhdim jashtë Italisë, i historisë së filmit Oktapodi.
Në qeverinë e sotme të Shqipërisë e ke mjaft të lehtë të gjesh Tano Karidin, Espinozën, senatorin Salimbeni apo edhe Santucion.
Është e dhimbshme, por e vërtetë, kjo është qeveria e Oktapodit Sali.
Nuk ka shqiptar sot që për secilin prej këtyre nuk di një histori të tmerrshme korrupsioni. Merrini me radhë nga njëri cep në tjetrin, deri tek kapoja.
Secili i akuzuar për korrupsion, për pastrim parash e deri për vrasje. Të gjithë fajtorë, ende të pandëshkuar.






