Fjala nė kuvend e deputetit, Fatos Tushe

Postuar më: 19/07/2010

Në propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10190, datë 4.12.2009,” Për buxhetin e vitit 2010” paraqitur nga qeveria ne bindemi plotësisht për krizën e thellë ekonomike në të cilën ndodhet vendi ynë, si dhe vështirësitë nga ana e qeverisë të adoptimit të një filozofie kujdesi në zbatim të buxhetit si dhe mos administrimi me realizëm i realitetit fiskal. Në grumbullimin dhe përdorimin e të ardhurave buxhetore qeveria po përdor politika dhe strategji të cilat në themel kanë injorimin e ligjit, korrupsionin, presionin ndaj sipërmarrjes, klientelizmin, demagogjinë e mashtrimin.

Megjithëse Ministria e Financave nuk ka publikuar shifrat e realizimit të të ardhurave buxhetore për 6-mujorin e parë të 2010, të dhënat operative tregojnë se rritja e tyre nuk shkon më shumë se 3.6 % aq sa është dhe inflacioni aktualisht, çka bën të kuptojmë se efekti mbi ekonominë është shumë i vogël ose zero.
 Në 6-mujorin e parë të këtij viti janë realizuar rreth 150 miliardë lekë të ardhura nga 363.6 miliardë që është buxheti i rishikuar për këtë vit. Shifrat tregojnë se ne në gjysmën e parë të vitit 2010 janë realizuar 41.3 % e të ardhurave totale të vitit 2010, për gjysmën e dytë të këtij viti ngelet për të realizuar  plot 213.3 miliardë lekë .Duket qartë që qeveria kërkon të na ngop me lugë bosh dhe se euforia e saj nuk i përgjigjet realitetit. Siç e thamë qeveria pret që në 6 mujorin e dytë të vitit 2010 të arkëtojë 213.3 miliardë lekë të ardhura. Qeveria  duhet të jetë e hapur dhe të tregojë sa arin vlera e borxhit ndaj bizneseve në TVSH e tatim fitimi dhe detyrime të tjera dhe si ka ardhur kjo shifër krahasuar me periudhat e mëparme. Sa kanë qenë kërkesat për rimbursim të detyrimeve nga ana e bizneseve dhe sa janë realizuar ato.
Qeveria mundohet të injorojë faktin qe vendi është në krizë. Ajo me mashtrime e demagogji mundohet  të bind opinionin se kriza kaloi, se do të rris pagat e pensionet dhe se do vazhdojë të financojë në rrugë, spitale, shkolla e hidrocentrale. Në fakt realiteti është krejt ndryshe dhe këtë e ndjen çdo shqiptar. Për çdo ditë që kalon, njerëzit janë të detyruar të paguajnë më shumë për ushqimin e përditshëm, për energjinë elektrike, për ujin, shërbimin spitalore etj.
Gjatë vizitës një javore në Shqipëri ekspertët e Fondit Monetare Ndërkombëtar në raportin e hartuar me qeverinë shqiptare vunë theksin se krahas shkurtimit të shpenzimeve që duhet të mbajë një ritëm me 2%, duhet që të ulë borxhin publik në 50% si dhe të rrisë masat për rregullimin e të ardhurave në buxhet. Mos vallë dalja nga kjo krizë do të arrihet nëpërmjet shitjes së aseteve të ushtrisë së Ministrit Imami që kalojnë nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë pra z. Prifti për të kaluar më pas në oborrin e Berishës, apo shitjes së qindra ha trojeve turistike.
Por jo të nderuar kolegë!
Ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtyre aferave korruptive të tjetërsimit dhe privatizimit te pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, të cilat nuk sjellin asnjë efekt pozitiv në daljen e ekonomisë nga kriza si dhe garantimin e një të ardhme më të mirë. Partisë Socialiste nuk do ti mungojë asnjëherë angazhimi për të bërë transparent të gjithë këtë proces farsë, si dhe për të anulluar çdo tjetërsim të pasurisë publike.  

Qeveria është e paaftë të menaxhoje krizën, sepse vetë qeveria e ka gjeneruar këtë  krizë. Për shkak të korrupsionit  dhe egoizmit të shfrenuar qeveria ka shpenzuar nga buxheti më tepër nga çka qenë e aftë të  grumbullojë në buxhet. Dhe kjo gjë u vu re në investimet postelektorale, në shpenzimet e brendshme për reklama të qeverisë dhe deri tek administrimi  pa kriter i të ardhurave nga tatim paguesit, në drejtim të menaxhimit të dietave, si në rastin  e kryetares së Kuvendit znj. Topalli, e cila ndërkohë që jeton në bllok i merr dietat sikur të jetonte në Malësi të Madhe. Kjo ka çuar në një rritje të ndjeshme të borxhit të qeverisë e cila do mundohet ti lajë këto borxhe duke rritur barrën fiskale të çdo qytetari e sipërmarrje shqiptare.
Gjatë një viti të luftës sonë për transparencën e votues, si guri i themelit të ndërtimit të çdo shteti të lirë dhe demokratik në botë, ne kemi dëgjuar shpesh nga kjo mazhorancë ilegjitime për rritje të mirëqenies së shqiptarëve, për arritjet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e gjithfarë mbroçkullash. Por për çfarë arritjesh na flet kjo qeveri, në një kohë kur varfëria është ulur këmbëkryq në familjet shqiptare, krimi i organizuar dhe korrupsioni ka arritur vlera galopante, apo mos vallë na flet për arritjet që anëtari i kabinetit Berisha, Ministri i Ekonomisë z.Dritan Prifti ka fituar gjatë një viti si ministër 1.8 milion euro nga shitja e aksioneve të një kompanie tek kushëriri i Ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, pronarë i kompanisë Megafarma.
A mos vallë këto janë arritjet e kësaj qeverie? Qeveria është e paaftë të ndërtojë programe për të nxjerrë ekonominë nga kriza. Shkaku i paaftësisë është korrupsioni qeveritar i cili promovohet  nga nënpunësi më i thjeshtë deri tek ministrat e kësaj qeverie. E orientuar keq kjo qeveri që në ditët e para të qeverisjes së saj ndërmori hapin regresiv duke vepruar në mënyrë politike mbi administratën në tërësi dhe atë fiskale në veçanti. Ajo filloi një fushatë të madhe spastrimi dhe largimi nga puna për mijëra punonjës e specialistë në fushën e tatimeve dhe doganave duke i zëvendësuar ato me gjithëfarë llojë militantësh fanatik, të pa arsimuar e të pa kualifikuar, të cilët çdo ditë e më shumë po asfiksojnë dhe paralizojnë aktivitetin e sipërmarrjes.
Sot sipërmarrja e lirë ndjehet e frikësuar dhe e kërcënuar nga kjo administratë e cila për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë po e rëndon atë me penalitete e gjithfarë lloje detyrimesh të rënda e të pa bazuara në ligj.
Gjithashtu nga ky buxhet që na është paraqitur krahas shume problemeve shohim se:
Shpenzimet për pushtetin vendor ulen me 22 % dhe pas uljes janë 12 % më pak se në vitin 2009. Por  ulja e shpenzimeve për pushtetin vendor në masën 22% ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e kushteve dhe mirëqenies së qytetareve. Kjo qeveri nëpërmjet aprovimit të ligjeve që shkelin dhe dhunojnë të drejtat e autonomive vendore, reduktoi tarifat që mblidhen nga qeveritë vendore, duke i zvogëluar të ardhurat e buxheteve të tyre me 90%, pa i kompensuar komunat dhe bashkitë  për humbjet e shkaktuara dhe duke penalizuar kështu qytetarët që vuajnë nga pakësimi i shërbimeve për ta për shkak të mungesës së fondeve. Konkretisht Bashkia Lushnjë për vitin 2009 grandin e pakushtëzuar e kishte 144 dhe për vitin 2010 ky grand është 121.388.000 pra 23 mln më pak. Kurse nga grandet konkurruese për vitin 2009 është investuar vetëm një vlerë prej 63 mln lekësh për ndërtimin e një shkolle, nga të cilat 10 mln janë likujduar për 2009 dhe 10 mln në 2010 dhe pjesa tjetër është e pa likujduar deri me tani. Kurse për vitin 2010 bashkia nëpërmjet projektit LAMP dhe investimeve të BB fitoi investimin e një rruge me vlerë afro 80 mln lekësh, duke u kërkuar që 30%  i këtij investimi te kryhej nga vetë bashkia. Këshilli bashkiak kreu të gjitha procedurat duke planifikuar 24 mln dhe qytetarët prisnin fillimet e punimeve. Por akoma tashmë këto punime nuk kanë filluar dhe nuk priten të fillojnë pasi ky fond u transferua në Shkodër për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga korrupsioni i kësaj mazhorance.
Më tej shohim se:
Shpenzimet për investime ulen me 22 % dhe pas uljes janë 30 % më pak se në vitin 2009. Por në një kohë kur nga të gjitha  organet vendimmarrëse ekonomike botërore kërkohet fokusimi në reduktimin e shpenzimeve dhe kryesisht mbi shpenzimet jo-produktive pra ato operative si dhe drejtimin e vëmendjes për mos  prekjen e investimeve publike për shkak se lidhen direkt me rritjen ekonomike dhe punësimin tek ne veprohet ndryshe.
Shpesh herë gjatë këtyre viteve të qeverisjes Berisha kemi dëgjuar refrenin për rritje të rrogave, të pensioneve, për rritje të mirëqenies dhe nivelit të jetesës së shqiptarëve, për shtimin e mijërave vendeve pune, kur në të njëjtën kohë 30% e popullsisë janë të papunë dhe kur në këtë projekt buxhet të 2010 që na është paraqitur për diskutim flitet edhe për 17 mijë vende pune të tjera që do të shkurtohen nga ky buxhet i rishikuar.
-    Por në këtë buxhet të rishikuar shohim se:
-    Investimet në Ministrinë e Arsimit pakësohen me 39%.
-    Investimet në Ministrinë e Shëndetësisë pakësohen me 60%.
-    Investimet në Ministrinë e Bujqësisë shkurtohen me 30.5%.

Pra këto ndryshime të theksuara në buxhet vërtetojnë edhe një herë se vendi është në krizë, se ekonomia dhe sipërmarrësit janë në krizë.



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy