Postuar më: 19/07/2010
Kolegë!
Dua që fjalën time sot ta nis duke iu drejtuar një zonje, një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë. Një deputeteje që mua me vjen turp që ajo sot është ulur në karrigen e kryetares së Kuvendit.
E ndërkohë që është ulur aty po përfiton dietën e radhës si banore e Shkodrës. Si qytetare, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe si juriste, të kërkoj publikisht ty zonja Jozefina Topalli t’i kthesh mbrapsht këtij buxheti të sakatuar nga korrupsioni e paaftësia e pushtetit tënd lekët e dietave që padrejtësisht dhe paturpësisht ke marre tani e sa kohë. Të dietave që i ke marrë me gënjeshtrën që jeton në Shkodër, ndërkohë që gdhihesh e ngrysesh në mes të bllokut, si Nexhmija e kohëve moderne. Ju zonjë do të kishit të drejtë t’i merrnit ato dieta nëse distanca nga selia e kryesisë se Kuvendit të Shqipërisë e deri tek shtëpia juaj, tek Blloku do të ishte 120 km, sa është distanca reale mes Tiranës dhe Shkodrës.
Por në Shqipërinë reale kjo distancë e ndryshme të urdhëron:
Kthe paratë që ke marrë me gënjeshtra!
Të urdhëron:
Kthe paratë që ua ke marrë shqiptarëve të varfër!
Te urdhëron:
Kthe paratë dhe në këmbim do të marrësh një faturë po nga shqiptarët e varfër e të ndershëm, faturën e turpit!
Kthe paratë për të cilat ke firmosur për turpin tënd!
Ju e nderuara zonjë, nxirrni administratën tuaj militante të na thotë që dietat nuk i firmosni ju. Thoni që një veprim të tillë Partia Socialiste nuk e ditka. Betoheni që dietat që merrni janë plotësisht të ligjshme. Dhe thoni që këtë Partia Socialiste nuk e ditka. Thoni se deputetët socialistë marrin si ju dieta dhe pretendoni se këtë Partia Socialiste nuk e ditka gjithashtu.
Po moj zonjë është e vërtetë që dietat nuk i firmosni ju, por është po aq e vërtetë që ato dieta shkojnë në xhepin tuaj. Juve ju takojnë dieta në baze të ligjit, jo 12 ditë, por 6 ditë, pasi jetoni në Tiranë e jo në Shkodër.. Është shumë e vërtetë që edhe deputetëve socialistë i takon trajtimi ligjor sipas ligjit “Për statusin e deputetit”, ashtu siç është shumë i vërtetë fakti që ju bashkë me administratën tuaj, sërish për turpin tuaj, deputetëve të opozitës nuk ia jepni këtë trajtim ligjor, duke i penguar ata në përmbushjen e rregullt të detyrës për të cilën janë votuar. Për këtë abuzim me paratë publike, por edhe për ndërprerjen e paligjshme të pagave të deputetëve të opozitës do të përballeni me këta deputetë në gjyq. Qëllimi juaj është që institucioni më i rëndësishëm i demokracisë, opozita, në këtë vend të mos funksionoje e të nënshtrohet. Por gaboheni zonjë, pasi opozita është e vendosur që luftën e saj për demokraci e shtet të së drejtës ta çojë deri në fund.
Tani një tjetër emër, por një histori e ngjashme në shtëpinë tuaj të përbashkët të korrupsionit. Nja dy fjalë për Priftin e korrupsionit të vjetër dhe të ri. Në emër të të gjithë votuesve të mi që vuajnë në shtëpitë e tyre krizën ekonomike, që janë më të papunë se kurrë, më të pashpresë se kurrë të drejtohem ty Dritan Prifti. Te drejtohem ty të tregosh të vërtetën për akuzat që populli opozitar të ngre për pastrim të mirëfilltë parash që të ka sjellë fitimin e deklaruar prej 1 milion e 800.000 mijë eurosh ose 150.000 euro në muaj nga gjoja shitja e disa aksioneve fantazëm. Të aksioneve fantazmë të cilat aspak çuditërisht i paske blerë nga një i afërm i Petritit të qeverisë, i cili aspak çuditërisht na qenka përfituesi i madh i tenderave të ilaçeve që organizohen nga partia e Ilir Metës. Ju zoti Prifti, plot mëkate, gaboheni kur mendoni se i keni xhepat aq të thellë sa për të fshehur paratë tuaja përballë këtij populli. Ju zoti Dritan keni dhënë errësirë edhe atëherë kur qeveria e Ilir Metës të kishte bërë drejtor të dritave. Sot nuk ka errësirë që të shpëton, nuk ka errësirë që të fshihesh ti e 1 milion e 800.000 eurot që ke fshehur në xhepat e tua. Ne socialistët do të hedhim dritë jo vetëm për votat që ke marrë natën me gjithë Sali Berishën në qarkun e Fierit, por edhe paratë që deklaron se i paske fituar ndershmërisht e guxon t’i mbrosh ditën me diell. Te jesh i sigurt që nuk ka errësirë që të shpëton!
Duke të neveritur si grua e si nënë për fjalorin rrugaçëror që përdore në shkatërrim të plotë të imazhit të përfaqësuesit të shtetit shqiptar i drejtohem publikisht Sali Berishës dhe i kërkoj ta largojë Dritan Priftin nga qeveria. I kërkoj publikisht që ta çojë atë në prokurori ose të pranojë se i ndan paratë me Dritan Priftin. Nëse zgjedh këtë të fundit le ta mbajë ende në qeveri dhe të iki bashkë me të kur populli t’i vërë drurin që meriton kësaj qeverie me votën që kurrë më nuk do t’i lejojmë më ta prekin. Sepse kurrë më nuk do të lejojmë të bëni zgjedhje pa garancitë e lirisë së votës.
Shqipëria është në krizë të rëndë zoti kryeministër. Shqipëria nuk është mrekullia ekonomike e familjes suaj ku njeri shton apartamentet e tjetri 200.000 euro pasuri. Shqipëria është shtëpia e trishtuar e njerëzve të zakonshëm, ku kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në shtëpinë e tyre. Është ulur këmbëkryq në familjet e 32.000 të papunëve të qytetit të Elbasanit e qindra mijë të papunëve në mbarë Shqipërinë. Është ulur në buxhetet e firmave ndërtuese, të cilat u mashtruan nga premtimet elektorale të qeverisë suaj, e morën kredi për të ndërtuar rrugët anë e mbanë Shqipërisë, e sot jo vetëm nuk mund t’i ndërtojnë ato për shkakun tuaj, por janë edhe të zhytur në borxhe te bankat. Është ulur këmbëkryq duke i çuar drejt falimentimit këto firma edhe për shkak të gjobave të rënda që i paguajnë qeverisë suaj duke rritur akoma më shumë papunësinë në qytetin tim e mbarë Shqipërinë. Është ulur në mes të rrugëve të Shqipërisë, rrugë të cilave ju në prag fushatën e 2009 iu turrët me gërshërë në dorë, rrugë që kanë mbetur rrugëve, bashkë me shqiptarët që kanë mbetur rrugëve, sepse ju njihni vetëm një rrugë:
Ju njihni rrugën e grabitjes që nga vota e deri tek qindarkat e pensionistëve të shkretë që i shtoni 6000 lekë e ia quani rritje, e që 35.000 leke ia merrni me faturat e rritura të dritave, ujit e ilaçeve.
Sikur vetëm të ndalni vjedhjet e korrupsionin e qeverisë suaj zoti kryeministër, vjedhje këto të bëra në dritën e diellit, sot pensionet e rrogat do të rriteshin në masën 20%. Ju keni shkurtuar buxhetin e institucioneve të pavarura të këtij vendi pasi e dini mirë që kjo është një nga mënyrat për t’i nënshtruar ato. Ju i shkurtoni buxhetin gjykatave e prokurorisë pasi qëllimi juaj i vërtetë nuk është lufta ndaj krimit, pasi personat e hetuar për krime ju i keni ministra në qeverinë tuaj, të tjerë ministra duhet të shkojnë para bangos së të akuzuarve!
Ju keni prere investimet në këto institucione e asnjë investim i ri nuk do të bëhet në to për këtë vit. Ju mund ta shkurtoni këtë buxhet, e jo në pak por në 25% të tij, por mos hajdeni këtu e na thoni se Shqipëria nuk është në krizë, se po jetojmë mrekullinë ekonomike. Mrekullia ekonomike është juaja që duke vjedhur votat nuk mbani asnjë përgjegjësi për Shqipërinë që e vidhni dhe e gënjeni, nuk mbani përgjegjësi për njerëzit që kane lidhur jetën me këtë vend e që fëmijët e tyre duan t’i rrisin këtu. Kjo makinë qeveritare që ka si motor kryeministrin, që ecën mbi rrotat që ka zgjedhur ai vetë dhe me votat e vjedhur në 28 qershor, po shkon drejt humnerës, por mos prisni që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi të udhetojnë me gjatë me ju. Doni apo nuk doni ju populli do t’i hipë shumë shpejt sipër kësaj makine qeveritare. Do të jetë më mirë sa më shpejt që të jetë e mundur.






