Fjala nė kuvend e deputetes, Eglantina Gjermeni

Postuar më: 19/07/2010

Të nderuar kolegë deputetë,

Rishikimi i vonuar i buxhetit dëshmon se krizën ekonomike që po përjetojnë shqiptarët dhe familjet e tyre, tashmë e pohon edhe qeveria. Shkurtimet që parashikohen të realizohen përmes këtij rishikimi të buxhetit, prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet sociale.

Me keqardhje mund të themi se efektet e pritshme për gjashtë mujorin e dytë të vitit 2010 edhe më tej, janë më shumë varfëri, rritje të papunësisë, më pak shërbime shëndetësore, më pak shërbime sociale, më shumë probleme sociale, më pak shpresë për të ardhmen. Ka rrezik që emigrimi të shihet si shpresa e vetme e shqiptarëve për të jetuar një jetë normale.

Rritja e kriminalitetit, numrit të vetëvrasjeve, mungesa e sigurisë për jetën, rritja e rasteve të grabitjeve janë tregues që po e shoqërojnë rritjen e varfërisë. Ndërkohë që qeveria jonë proklamon se jemi ndër vendet e vetme që nuk jemi prekur nga kriza globale, realiteti që jetojmë çdo ditë tregon diçka tjetër. Rritja ekonomike nuk është shoqëruar me hapje të vendeve të punës edhe me një zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm. Duke ju referuar EUROSTAT, Shqipëria mbetet vendi më i varfër në Europë. Fuqia blerëse e shqiptarëve është 5 herë më e ulët se ajo e konsumatorëve të vendeve të Bashkimit Europian. Edhe Banka Botërore e vendos Shqipërinë në listën e vendeve që do të varfërohen edhe më shumë, duke filluar nga 2010-a, veçanërisht nga rritja e papunësisë mes emigrantëve, remitancat e të cilëve gjatë dy viteve të fundit kanë pësuar ulje të ndjeshme.

Efektet  e krizës ndjehen më shumë në  buxhetet familjare. Të ardhurat personale të shqiptarëve në tremujorin e parë të viti 2010,  janë ulur me 8.9 % krahasuar me një vit më parë. Me rritjen e kostos së jetesës edhe me uljen e të ardhurave, familjeve shqiptare iu duhet të punojnë vetëm për të mbijetuar. Këto familje do të detyroheni të shpenzojnë më pak të ardhura për arsimim, kujdes shëndetësor edhe social. Duke ju referuar Rezolutës së fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, në të cilën theksohet se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri, varfëri e cila është në nivele më të larta në zonat rurale edhe ato malore, shqetësimi ynë është se përmes shkurtimeve që sugjerohen nga qeveria për këtë buxhet, do të thellohet pabarazia, varfëria edhe përjashtimi social në mënyrë të veçantë në këto zona.

Me këtë rishikim të buxhetit është parashikuar  edhe  shkurtimi i fondit për kompensimin e energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta. Nga 1 miliard lekë të parashikuara, ky fond pakësohet 3 herë duke ndikuar ndjeshëm nivelin e jetesës së këtyre familjeve. Pavarësisht se programi i kompensimit të energjisë është shumë i rëndësishëm në reduktimin e varfërisë, sërish ky program ka pësuar ulje drastike në këtë rishikim buxheti. Që në konceptimin e tij, ky program kishte defektin se kuota e caktuar për kompensimin e energjisë është aq e ulët (200kë) sa një familje mund të sigurojë me të ndriçim, por jo ujë të ngrohtë. Mendoni se çfarë mund të ndodhë për këto familje në nevojë,me këtë shkurtim të fondit tani,
Në momente krizash, shteti duhet të jetë largpamës edhe të parashikojë ecurinë edhe problematikat e të ardhmes për të gjithë qytetarët, edhe jo siç po ndodh në Shqipëri ku preken fondet e arsimit, shëndetësisë edhe shërbimeve sociale. Përvoja e vendeve të tjera tregon se duke parashikuar efektet e krizës globale, i është treguar kujdes i veçantë fondeve sociale duke parandaluar apo zbutur efektet sociale të krizës. Kjo gjë nuk po ndodh tek ne, ku në përgjithësi roli i Ministrisë së Punës konsiderohet si periferik edhe për më tepër, në vend të zbusë edhe parandalojë efektet në vazhdim të krizës, preken edhe fondet për shërbimet sociale ekzistuese. Grupet vulnerabël që vuajnë më shumë pasojat janë fëmijë,individët me aftësi të kufizuara, të moshuar. Veç kësaj ajo çka vihet re në politikat sociale është edhe klientelizmi i shërbimeve sociale, sidomos në shpërndarjen e ndihmës ekonomike. Përfshirja apo përjashtimi nga ndihma ekonomike shpeshherë bëhet për arsye politike .

Janë rreth 90 mijë familje të cilat marrin ndihmë ekonomike sot, të cilat jetojnë me më pak se 1 USD/ditë. Sipas kësaj llogarie i bie që një familje e tillë të mbijetojë me një copë bukë e një lugë supë. Ndërkohë sipas INSTAT në tremujorin e parë të vitit 2010, kësti mujor i ndihmës ekonomike ka rënë në 3.690 lekë në muaj. Politikat sociale që ndiqen nga qeveria Berisha janë shpërpjesëtimet në investime. Në qoftë se krahasohet fondi i nxitjes së punësimit me fondin e ndihmës ekonomike, ky i fundit është më i lartë, duke realizuar kështu politika pasive, të cilat nuk synojnë daljen nga cikli i varfërisë, përkundrazi. Edhe premtimi në programin qeverisës për hapjen  e 160 mijë vendeve pune,  duket jo vetëm ireal edhe i paarritshëm, por edhe vetë shifrat zyrtare të papunësisë të humbasin shpresën për një rritje të punësimit. Sipas INSTAT papunësia në tremujorin e parë të vitit 2010 është gati 14 %, shifër e cila nuk tregon realisht papunësinë në vend, papunësi e cila është 2 deri 3 herë më e lartë. Duke e krahasuar me tremujorin e fundit të viti 2009, vihet re një rritje 1% e papunësisë, që do të thotë 15 mijë më shumë të papunë.

Për më tepër që nga viti 1995 nga shteti është krijuar “Fondi i nxitjes së punësimit” , fond i cili thuajse ka mbetur virtual pasi fondet e tij përdoren për zëra të tjerë buxheti. Sërish duke ju referuar Rezolutës së fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë ku theksohet se ekziston një nivel i lartë i ekonomisë informale, nivel i lartë i papunësisë dhe një treg pune jo i rregulluar, sugjerohet të punohet në zbatimin e politikave ekonomike të nevojshme që sigurojnë rritje ekonomike, mbrojtje të mjedisit edhe hapje të vendeve të punës, duke synuar ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

Bashkimi Europian, emergjencën e punësimit e ka vendosur në përparësi të axhendës së veprimtarisë së tij, duke aplikuar në disa vende stimuj fiskalë e monetarë për rritjen e shkallës së punësimit. Vitin 2010 e ka konsideruar si vit të luftës kundër varfërisë edhe për kohezion social, duke na dhënë edhe një mesazh të rëndësishëm që, në qoftë se duam të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian duhet të fillojmë të mendojmë edhe veprojmë realisht si pjesë e tij. Vetëm politikat efektive të punësimit mund të ndihmojnë në sigurimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe që garanton të drejtat e individit në një  shoqëri demokratike.



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy