Fjala e deputetit tė PS, Fatmir Toēi sot nė Kuvend

Postuar më: 19/07/2010

Projektligji për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit të vitit 2010 nuk i përmbush premtimet sipas programit të qeverisë së sotme. Duke analizuar të gjitha shifrat dhe parametrat e paraqitura të këtij bilanci, duket qartë se ai shpreh më së miri një ekonomi në krizë dhe me mungesën e plotë të transparencës. Këto ndryshime shprehin shumë qartë gjendjen e rëndë që ka përfshirë ekonominë shqiptare, në çdo sektor e qelizë të saj, si rrjedhojë e krizës politike që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Mungesa e transparencës së këtyre zgjedhjeve, e shprehur në frikën për të hapur kutitë e votimit, është burimi i së keqes që ka mbërthyer këtë vend.
Edhe pse me një përpjekje të stërholluar për të mashtruar publikun me shifra e premtime në projektbuxhetin e paraqitur duken qartë pakësimi i të ardhurave nga tatimet, nga kontributet e sigurimeve shoqërore, nga pushteti vendor etj., si dhe ulja e shpenzimeve në zëra të tillë si investimet e projektet e ndryshme, veçanërisht në sektorë jetikë për vendin si shëndetësia, arsimi etj. Shqetësues është ulja e të ardhuarve për familje me ndihmë ekonomike dhe rritja e papunësisë nëpërmjet shkurtimeve të 17.000  punonjësve. Fakti që qeveria premton për hapjen e 45.000 bizneseve të reja, që do të thotë punësim i të paktën 100.000 punonjësve, tregon se numri i punonjësve që shkurtohen nga puna do të jetë shumë më i madh. Me këtë bilanc kjo qeveri vazhdon të vejë në skenë të njëjtin teatër absurd, ku skenaristi, regjizori, aktori, por siç duket qartë edhe spektatori i vetëm është vetëm një njeri, dhe ky është drejtuesi absurd i qeverisë aktuale që kërkon bekimin e këtij bilanci. Absurd ishte dhe qëndrimi i disa prej dikastereve dhe institucioneve shtetërore, të cilat, si asnjëherë tjetër në këto 20 vjet janë shfaqur, në komisionet e ndryshme parlamentare ku kanë raportuar, “tejet të kënaqur” për shkurtimet në buxhetin e tyre, a thua se po u shtoheshin fondet për planet dhe projektet e tyre.
Kjo qeveri kërkon nga ne që të bëhemi palë me pushtetarët e sotëm, të cilët pushtetin e duan për të grabitur akoma më shumë shqiptarët. Për t’ua grabitur atyre edhe atë pak tokë e prona që u kanë mbetur, për t’ua rrëmbyer e dhuruar sekserëve të tyre për 1 euro edhe atë pasuri kombëtare që ka mbetur pa u shfrytëzuar, për t’ua grabitur edhe ato pak kursime që kanë mundur të mbledhin rrugëve të botës ku i ka degdisur politika e papërgjegjshme për dy dekada me radhë.
Natyrshëm dhe siç po denoncon prej më shumë se një viti opozita e sotme të gjitha sa më sipër kanë sjellë në Shqipëri instalimin e një korrupsioni të paparë shtetëror, ku po duket fare e zakonshme, madje e moralshme, që një politikan apo pushtetar çfarë do qoftë të vënë pasuri pa treguar burimin e saj, për ministra që karrigen po e shfrytëzojnë fare hapur për lulëzimin e biznesit të familjeve të tyre, dhe për më tepër të nxisin dhe të vënë në moto gjithë pushtetin e dalë nga vjedhja e zgjedhjeve për të sulmuar pa princip e argumente, duke u vënë gjoba, duke i etiketuar deri në kulakë ata që i kanë fituar me mund e me djersë nëpërmjet biznesit të tyre nëpërmjet konkurrencës së lirë. Dhe arsyeja? Vetëm se kanë guxuar të hyjnë edhe ata në politikë, të japin kontributin, njohuritë dhe përvojën e suksesit të tyre.
I bëj thirrje pushtetit të sotëm, Sali Berishës dhe atyre që flasin e veprojnë në emër të tij: mos e përdorni shtetin për të sulmuar sipërmarrjen e lirë. Ky shtet dhe shoqëria shqiptare do të bëhen dhe do të ecin përpara nga njerëz që kanë, që dinë të veprojnë e fitojnë në kushtet e ekonomisë së tregut dhe ligjeve të këtij vendi. Dhe detyra jonë është t’i ndihmojmë, t’i inkurajojmë në punën e tyre, t’i mbështesim me sa mundemi, e jo t’i denigrojmë për qëllime të një politike bastarde, për t’i intimiduar e për t’u mbyllur gojën.
Dhe për të qenë sa më konkret në fjalën time për abuzimet dhe qeverisjen që ka mbërthyer pushtetin dhe qeverisjen e sotme shtroj pyetjen:
Si është e mundur që ky Kuvend të drejtohet nga një person, të cilën opozita e ka akuzuar shumë herë se përfiton dieta sikur jeton në Shkodër, ndërsa në të vërtetë jeton në mes të Bllokut? Edhe pse kjo akuzë i është drejtuar disa herë, madje edhe në sallën e këtij Kuvendi, edhe pse kjo akuzë ka qenë shpesh në qendër të mediave shqiptare, ajo nuk ka denjuar asnjëherë të përgjigjet, madje është përpjekur të bëjë humor shkodran, me një shkodranishte të mjerë, që nuk ngjan as me shqipen standarde, e as me gegnishten që flitet gjithë elegancë në Shkodër.
Rasti më flagrant është ai i ministrit Prifti, i cili, si në përralla u ngrys i varfër dhe u gdhi milioner, i paangazhuar asnjë ditë në biznese legale, por vetëm i punësuar në poste të larta në administratën shtetërore, ligjërisht si rrogëtar. Dhe për këtë “i dha një dorë” kolegu i tij ministër i shëndetësisë, zoti Vasili, i cili familjen e tij e ka kthyer në furnizuesen kryesore të spitaleve me ilaçe dhe po vepron me “Megafarmën” e kunatit të tij, me të njëjtën skemë të tipit Al Kapone, siç është kushtëzuar marrëdhënia midis Albpetrolit shtetëror dhe ARMO-s, biznesit të lidhur publikisht me qeveritarët dhe pushtetin e sotëm.
Këta, dhe shumë të tjerë si puna e tyre në këtë piramidë të korruptuar shtetërore, duke qenë njerëz publikë, në detyra shtetërore dhe funksione politike janë të detyruar në çdo rast të përgjigjen publikisht për akuzat që u bëhen dhe të sqarojnë në çdo moment opinionin publik për të vërtetën.
Ministri Prifti u detyrohet nga një përgjigje secilit prej 1300 naftëtarëve që ka hedhur në rrugë me një të rënë të lapsit këto ditë në emër të ristrukturimit të Albpetrolit. T’u shpjegojë atyre se si fitohen 1 milionë e 800 mijë euro në një ditë, kur ata, edhe pas 30 – 35 viteve punë në këtë sektor të vështirë, sot rrezikojnë bukën e gojës të familjeve të tyre, në një shtet si ky i yni që as që do t’ia dijë për ta.
Të gjitha këto janë vezët që çelin nën klloçkën Sali; kjo klloçkë e vjetër e politikës shqiptare që e sheh të birin që e shton pasurinë me nga 200.000 euro në vit vetëm nëpërmjet punës së tij si sekser politik, dhe që vazhdon të qëndrojë po si klloçkë mbi kutitë e votimit, mbi të cilat ka ngritur pushtetin e tij të vjedhur.
Por problemi i vërtetë nuk janë këta dhe shumë të tjerë si puna e tyre, por është Sali Berisha që e lejon vjedhjen ditë e natë, që vjedhjen e ka bërë qëllimin e vetëm të mbretërimit të tij, për hir të mos prishjes së një koalicioni absurd e të panatyrshëm, që do ta rrëzonte nga pushteti nëse do të prishej. Dhe lejon sjellje dhe shfaqje deri të papërgjegjshme të një ministri që shfaqet i çekuilibruar në Kuvendin e Shqipërisë në vend që të përgjigjet për akuzat që i bëhen.
Kryeministri duhet të reagonte i pari dhe duhet të ishte ai që duhet ta çonte në prokurori këtë ministër, i cili, veç justifikimit të pasurisë së tij, duhet të përgjigjet edhe për fyerjet, akuzat, denigrim personi dhe sjelljen e papërgjegjshme në sallën e Kuvendit.
Para ca ditësh, organi zyrtar i PD-së ka bërë zbulimin sensacional se jam edhe unë një nga pasanikët e rinj të PS me një pasuri prej 1.1 milion eurosh në bankë. Nuk e di se ku e kanë gjetur ata këta shifër, që do të më pëlqente ta kisha në këto kushte krize, por do të desha të di se si mund t’i lejohet një organi zyrtar të një partie që ka marrë përsipër të drejtojë një vend të lirë e demokratik, të dezinformojë e të mashtrojë opinionin publik vetëm për qëllime politike. Nga ana tjetër, do të ishte fare e natyrshme që pas 20 vjet veprimtari biznesi në fushën e botimeve ta kisha një kursim të tillë, (gjë që nuk kam mundur ta kem) dhe nuk është faji i askujt që i kam kthyer fitimet në libra, libra të mbetura në magazinë për shkak të pamundësisë ekonomike të shqiptarëve për t’i blerë e lexuar. Gjithashtu, është fare e natyrshme sot që në politikën shqiptare të hyjnë edhe njerëz të biznesit, të kulturës dhe të fushave të tjera, që do të sjellin këtu përvojën e suksesit në punën e tyre nëpërmjet konkurrencës së lirë, ide dhe profesionalizëm që do t’i shërbenin shumë politikës. Dhe për fatin e mirë këta njerëz sot nuk janë pak në shoqërinë shqiptare. Por diferenca me ju, kur flitet për pasurinë, është se një pjesë e madhe prej jush pasurinë e kanë vënë nëpërmjet ushtrimit të funksioneve si pushtetarë, ndërsa unë dhe pjesa që ju sulmoni çdo ditë me mediat tuaja dhe ato që ju shërbejnë është se ajo pasuri, aq sa është, është vënë nëpërmjet veprimtarisë private të biznesit, me rregullat e lojës së konkurrencës së ndershme dhe të ekonomisë së tregut.
                  
Siç mund të kuptohet ne nuk mund ta votojmë një projektligj të tillë, që legjitimon grabitjet dhe rrënimin e ekonomisë së vendit.
Ne kemi kërkuar transparencë për zgjedhjet dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesës sonë. Por ne do të bëjmë edhe transparencën e qeverisjes suaj, dhe jo vetëm për ekonominë, të cilën po e trajtoni sikur ta kishit mallin e babait dhe mund të bëni ç’të doni me të.
Ne do të anulojmë çdo vendim e marrëveshje që nuk u shërben shqiptarëve, që nuk i shërben interesave të vendit, por klanit tuaj dhe atyre që janë vënë në shërbimin tuaj.



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy