Postuar më: 19/07/2010
Ndërsa zoti Berisha dhe aktorët e tjerë flasin për ekonomi entuziaste, bile shpesh delirojnë me terminologji tipike të viteve 80, duke folur për eksporte e liderance në Europë e në botë, shqiptarët ndjejnë përditë rëndesën e vështirësitë ekonomike.
Tryezës së tyre nuk i shtohen produkte, përkundrazi vijnë duke u reduktuar në sasi dhe cilësi. Kjo falë politikave të tyre fiktive dhe mosnjohjes, apo moskonsiderimit të këshillave të opozitës, se vendi duhet të merrte masa për të përballuar pasojat e krizës globale, që padyshim do të gjente refleksion dhe në Shqipëri.
Këtij perceptimi qytetar e mbarëshqiptar, për vështirësitë ekonomike të tyre në krahasim me 2 apo më shumë vjet më parë, i shtohet tani dhe një argument tjetër, i cili duket qartë në buxhetin që kemi në duar. Shkurtimet që prekin të gjithë sektorët e ekonomisë, flasin bindshëm se entuziazmi Berishian është propagandistik dhe fiktiv. Ai flet qartë për dy elemente: 1. Ose Berisha dhe ekipi i tij janë të pazotë të parashohin zhvillimet ekonomike të vendit dhe impaktin qe ka zhvillimi ekonomik global në ekonominë shqiptare, ose 2. Berisha gënjen, kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, duke menduar se ai ja hedh lehtë shqiptareve, sikurse ka vepruar në procese të ndryshme, përfshirë atë elektoral, kur në mënyrë konstante manipulon, vjedh vota dhe i shet ato si më të mirat, jo vetëm në Shqipëri por dhe më gjerë.
Këtë përfundim e arrin edhe një vëzhgues i thjeshtë, jo profesional. Kuptohet fare mirë se shkurtimi i buxhetit apo prononcimet jo koherente, shpesh edhe qesharake e jo serioze flasin për kaos, paaftësi dhe thellim të varfërisë. Dështimet në vlerësimet e buxhetit disa herë radhazi në këtë 6 mujor janë prognoza e qartë e fundvitit 2010. Por ka dhe një mundësi tjetër për të parashikuar si do jete ky vit. Duke bërë analizën e vitit të shkuar. Qeveria në mënyrë tinzare tregohet tepër optimiste për rritjen ekonomike dhe të ardhurat në rritje. Kështu, në këtë mënyrë në momentin e prezantimit të parë të projektit, shpenzimet duken të justifikuara dhe deficiti më i vogël se sa do të jetë realisht në fund të vitit. Në fund, natyrshëm mbeten të pa lëvruar fondet për projekte, që nuk kanë qenë të mbështetura me programe të sakta, por kanë qenë vetëm demagogji. Kjo ndodh me fusha si në arsim, shëndetësi, mjedis dhe bujqësi qe duan planifikim më të kujdesshëm. Si pasojë në fund kemi mosrealizim të investimeve në përmasa shqetësuese, fonde të cilat në finale shkojnë aty ku janë shkaktuar gropat financiare, falë politikave korruptive dhe të paafta.
Pozita ka bere shurdhin jo vetëm ndaj vërejtjeve të opozitës, por edhe ndaj organizmave financiare ndërkombëtare. Herë pas here FMN i ka kërkuar qeverisë të përdorë një sjellje më të kujdesshme ndaj parametrave të rritjes ekonomike dhe të treguesve fiskal. Vetëm me një buxhet të besueshëm mund vendi të dërgojë mesazhin më të mirë në tregjet kapitale që do të lëvrojë. Ministri lexon këtu vetëm mesazhet që i interesojnë shpesh të porositura nga vetë kabineti. Këto dhe shenja të dukshme të uljes së të ardhurave tatimore në 10% të projeksionit, e bëjnë të qartë fiktivitetin dhe nevojën e rënies me këmbë në tokë.
Projekt Buxheti 2010 i prezantuar në nëntor të vitit të kaluar, ishte tepër optimist, ndërsa bazohesh në një zhvillim ekonomike prej 5.5% të GDP. Gjithashtu, parashikohej një performancë e përmirësuar e tatimeve në rritjen e të ardhurave: të cilat projektoheshin ne 329 mld lekë ose 28.2% te GDP - një nivel që nuk është arritur dot kurrë! Qeveria projektonte të ardhura 19% më të larta se në 2009, kur rritja në atë vit nga 2008 ishte vetëm 4%. Mesatarja e rritjes se tyre nominale prej 2001, ka qenë 13%. Të planifikosh mbështetur në fiktivitet do të thotë jo vetëm të hartosh një buxhet irreal, por çka është më e keqja të mos mundesh të parashohësh e ca me pak të zgjidhësh problemet, të cilat rëndojnë drejtpërdrejt ne kurriz të qytetareve. Pa dyshim sektorët më të prekur në këtë drejtim janë ato që realisht nuk janë prioritet për qeverinë aktuale, paçka se në letër thuhet e kundërta. Një prej tyre është Ministria e Mjedisit, ku do të kemi shkurtime të mëdha në parashikimet për sektorin e pyjeve të peshkimit programet e zhvillimit etj.
Edhe nëse nuk do të kishte shkurtime sektorët e mjedisit janë aq modeste sa kjo ministri krahasuar me homologet e veta në vendet jo ato te BE, por aspirante për BE, është inferiore përsa i përket burimeve njerëzore, kapaciteteve financiare, nxitjes së shoqërisë civile në programe zhvillimi mjedisore, përfshirjes së institucioneve akademike në problematikën mjedisore etj. Ndërsa Berisha flet për politika të mëdha mjedisore, burimet financiare në këtë fushe vijnë duke u shkurtuar. Fakulteti i Shkencave të Natyrës, psh, me profesionali për tu përfshirë në procese monitorimi, apo ato pjesë të mbetura nga një prej institucioneve më serioze që ka patur vendi ynë, ai i fizikës bërthamore, nuk përfshihen apo marrin pjesë minimalisht në ndonjë projekt monitorimi.
Sali Berishës dhe grupeve të tij të interesit u intereson të mos ketë rritje e forcim të kapaciteteve të monitorimit. Është kjo arseja që fondet për monitorim janë 10 deri 100 herë më të ulëta se vendet fqinje. Është kjo arseja që institucione profesionale zëvendësohen me klientë të rinj, shpesh të paaftë. Kjo lidhet me zhvillimet që ka projektuar Berisha që ta kthejë Shqipërinë në një gropë të zezë mjedisore, ku sikurse ka shkatërruar peisazhin e qytetit të Krujës me fabrikat e çimentos të ngritura me kullat e veta në lartësinë e qytetit të Krujës, ta shtrijë shkatërrimin edhe në Gjirokastër, Berat etj. Atij dhe kompanive të çimentos u intereson që mos të monitorohen, mos të vlerësohet impakti në mjedis, mos të vlerësohet çfarë lirojnë oxhaqet e tyre.
Asnjë vend në rajon as edhe Maqedonia nuk ka kapacitete kaq të vogla monitoruese sa Shqipëria. Berishës i intereson që ta fshehë realitetin e rënduar mjedisor pasi fitimet shkojnë në xhepat e klientëve të tij dhe shumë pak shkojnë për buxhetin e shtetit.
Asnjëherë ai dhe aktorët e tjerë nuk treguan qartë se çfarë përfiton Shqipëria nga këto investime në fabrika çimentoje . Me këto burime ndotjeje, me këto industri që çdo vend europian do i mbante sa me larg vendit të vet, do duhesh të fuqizonte maksimalisht kapacitetet monitoruese. Këto industri duhet të bënin që vendi ynë të kishte për MM një buxhet 10 fish më të lartë për të monitoruar për të mos lejuar që të shkatërrohesh natyra shqiptare, për të rehabilituar pyjet e prerë, për të kompensuar ata banorë që janë të detyruar të qëndrojnë pranë oxhaqeve të fabrikave të çimentos, që njihen nga më ndotësit në botë dhe nga kontribuuesit me të rëndësishëm me gaze sere.
Përrallat e Berishës se respektohen standardet mjedisore janë gënjeshtra tjetër e rradhës. Qeveria e tij s’ka aftësi e kapacitet të kryejë monitorim të vazhdueshëm e kjo duket qartë në fondet e alokuara në Ministrinë e Mjedisit. Kështu do te veproje Berisha edhe në Durrës edhe ne Shëngjin edhe në Vlorë ku planifikon të presë 500 ha pyje vetëm në Vlorë. Është ai që tërë bregdetin shqiptar kërkon ta kthejë në fabrika çimentoje dhe TEC-e me qymyr.
E tallja nuk përfundon me kaq, ai flet edhe për turizëm, ku krahas oxhaqeve të TEC-eve me qymyr, oxhaqeve të fabrikave të çimentos, turistet europiane do zënë radhe për të ardhur në hotelet me 5 yje shqiptare. E nga plazhet e bukura edhe pse të rrethuar me shishe plastike, turisti europian do sodisë sa harmoniozë janë deti i bukur i mbingarkuar me ngarkesa bakteriale, oxhaku i TEC-it apo asaj të fabrikës së çimentos dhe vetë ai. Dhe të gjitha këto kushte të pazakonshme në detin Mesdhe, janë pasi qeveria Berisha nuk investoi që brenda 2-3 vjetësh të mandatit të tij të bëhesh trajtimi i ujërave të zeza, që të ndërtonte landfills në qytetet kryesore etj. Ka vetëm një arsye që Berisha e bën këtë, fitimi i këtyre kompanive që marrin lëndën e parë për çimento është thuajse falas, si në asnjë vend tjetër. Këto industri nuk i paguajnë banorit apo buxhetit të vendit asnjë lek për koston e mjedisore të mallit që prodhojnë. Asnjë lek për sigurimin shëndetësor të banorëve përreth, asnjë lek për uljen e çmimit të tokave e shtëpive përreth, vetëm për shkak të pranisë së këtyre fabrikave.
Kostoja mjedisore e mallrave sot pasqyrohet thuajse në të gjitha mallrat që prodhon BE. Ne jemi vite larg. Kjo bëhet pasi sa më i madh të jete fitimi i këtyre kompanive aq më e madhe është pagesa e përfitimi që ka klani Berisha. Këto ditë në parlament do diskutojmë edhe qindra pyje të tjerë që zoti Berisha ka vendosur të presë për klientët e tij, pasi do shtohet një fabrikë tjetër çimentoje me 300 ha pyje të prerë. Praktika qe ndjek zoti Berisha është: dhënia me zero lekë e të drejtave të shfrytëzimit të burimeve natyrore për prodhimin e lëndës së parë në industrinë e materialeve të ndërtimit dhe TEC-ve me qymyr tek një grusht kompanish, klientë politike dhe ekonomik të Sali Berishës, të përzgjedhura pa garë e konkurrencë.
Vetëm dietat e marra padrejtësisht nga buxheti i shtetit nga zonja Topalli, do te mjaftonin që Fakulteti i Shkencave të Natyrës të monitoronte gjatë një viti cilësinë e ujërave detare në tërë bregdetin, për metale të rënda dhe komponimet organike. Sot ky fakultet më i miri në vend nuk e kryen këtë veprimtari. Ndërsa fitimet në 2 vjet te një ministri të kabinetit Berisha do të mjaftonin që të mbulohesh për 11 vjet monitorimi i tërë ekosistemeve që monitoron Ministria e Mjedisit, ku përfshihen tërë institucionet monitoruese. Fakte të tilla flasin qartë përse për sytë e Berishës e klanit të tij ekonomia shqiptare është entuziaste.






