Qeveria mė e korruptuar nė 20 vjet

Postuar më: 22/07/2010

Diskutimi e debati për buxhetin në çdo parlament normal të një vendi normal demokratik  përbën gjithmonë ngjarje të shënuar e që ndiqet me vëmendje të madhe nga qytetarët e opinioni publik, të cilët nga ana e tyre mundohen të bëjnë vlerësimet e tyre diku në mënyrë praktike nisur nga jetesa e tyre e përditshme e diku në mënyrë profesionale (për fat të mirë ky vend ka ende specialiste të përkryer edhe në këtë fushë).

Është për të ardhur keq që qytetarët e këtij vendi, të cilët  prej 5 vjetësh qeverisen nga një maxhorancë  që  para një viti ata e refuzuan, janë të detyruar ta ndjekin këtë ushtrim vetëdiskreditues të qeverisë 2 herë në vit: një herë para festës së Vitit të Ri e një herë para pushimeve verore. Herën e parë u thuhet se do t’u rrisin pagat, pensionet, shpërblimet, investimet, e herën e dytë u thuhet: “na falni se nuk e llogaritëm mirë sa do të përvetësonim e sa do të shpërdoronim e që t’ju shpëtojmë nga kriza duhet të shkurtojmë ose të mos jua japim fare pagat, pensionet, shërbimet shëndetësore, apo investimet që kanë impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës”
   
Nuk themi asgjë të re, por atë që kemi thënë e ripërsërisim se vendi ka qeverinë më të korruptuar në 20 vjet e për rrjedhojë çdo diskutim më tej lidhur me produktin e saj, përfshirë edhe hartimin e buxhetit vjetor apo të rishikuar, është përpjekje për të fshehur të vërtetat dramatike që kjo maxhorancë e sajuar e pa identitet mbart mbi vete, si maxhorancë e ngritur mbi interesa okulte e korruptive që bëhen të dukshme përmes incidenteve me protagonistë që nga përfaqësues të diplomacisë apo punonjës të MPJ apo deri te të molepsurit edhe në qeveritë paraardhëse që u emëruan në poste fitimprurëse për të bërë sekserin për ministrin, e ngritur ura korrupsioni edhe mes ministrive.  

Thonë se po punojnë për integrimin e për interesat madhore të vendit. Te cilit vend? Të atij që brenda një viti humbi 10 nivele në klasifikimin nga Transperancy International për treguesit në luftën kundër korrupsionit? Nuk ka raport nga organizmat prestigjioze që e monitorojnë apo e vëzhgojnë Shqipërinë që nuk i bie këmbanave të alarmit për korrupsionin që lulëzon e që po rrezikon demokracinë e është bërë pengesë serioze për zhvillimin ekonomik, politik e kulturor të vendit. Sipas raporteve, shqetësues është fakti se korrupsioni i nivelit të lartë është në mënyrë organike i lidhur me mungesën e respektit për liritë civile e politike brenda vendit: a rezultojnë të dhunuara liritë civile të pronarëve të ligjshëm duke u grabitur pronën me ligj e korrupsion, si rasti i pronave në zonat turistike dhe së fundmi bashkëpunimi Ministri e Mbrojtjes, Ministri e Ekonomisë? Po e drejta për të marrë shërbim shëndetësor falas a dhunohet përsa kohë po nuk pagove nën dorë nuk të ofrohet ky shërbim? Nuk po i referohem rastit tronditës të denoncuar nga kjo foltore për afera korruptive të guximshme që nisin nga Ministria e Ekonomisë, bëjnë ndalesë te Shëndetësia, e përfundojnë në rrethin e ngushtë të Kryeministrit. Shpresoj dhe inkurajoj Prokurorinë të nisë hetimin për fitimet që kapin shifra marramendëse si ajo e 1.8 milionë eurove të deklaruar nga Ministri i Ekonomisë. Pa asnjë mëdyshje Kryeministri është përgjegjësi kryesor që luftën kundër korrupsionit e ka shndërruar në retorike bajate duke u kapardisur foltoreve se vendi nuk është prekur nga kriza ekonomike e se Shqipëria ka rritjen më të madhe ekonomike. Për çfarë rritje ekonomike flitet kur papunësia vazhdon të rritet, buxheti i rishikuar paralajmëron 17 mijë vende pune të humbura, bizneset falimentojnë, qytetarët janë më të varfër se 2-3 vjet më parë. Është koha që kryeministri  të lërë mburrjet dhe t’iu tregojë shqiptarëve e partnerëve ndërkombëtarë që ai ka fshehur realitetin për treguesit ekonomikë e financiarë ashtu sikurse ka bërë edhe me treguesit në luftën kundër korrupsionit duke mbushur raport mbas raporti e duke krijuar një shtet në letër që është shumë larg asaj, për të cilën aspiruan e luftuan shqiptarët në këta 20 vjet. Kryeministri duhet të bëjë transparencën e plotë edhe të treguesve ekonomikë e financiarë, si edhe sesi ai e shpura e tij përdori asetet shtetërore për të korruptuar zgjedhjet e qershorit të 2009, sipas raportit të OSBE/ ODIHR-it kufiri midis shtetit dhe pushtetit u ç’bë. Ai duhet të bëjë transparencë e t’u tregojë shqiptarëve se si korrupsioni pjell korrupsionin e ai vazhdon  mban pushtetin përmes korrupsionit për të korruptuar zgjedhjet e  ardhshme lokale apo parlamentare duke tjetërsuar vullnetin e votuesve, e dhunuar liritë politike të shtetasve. Ky mentalitet e këto praktika bien ndesh me vlerat e organizatave euroatlantike e europiane ku ne aderojmë e konventave të nënshkruara e ratifikuara që jemi të detyruar të zbatojmë si angazhime për demokraci me standard euroatlantik, me media të lirë e drejtësi të padhunuar nga ekzekutivi, me parlament transparent që nuk ngjason me hajdutët e xhepave ku punonjësit servilë e të korruptuar u japin shefave dieta të pajustifikuara në shkëmbim të favoreve për vendet që kanë zënë në kundërshtim me ligjin, me qeverisje transparente, e jo të korruptuar që ka instaluar kulturën e pandëshkueshmërisë  (progres-raporti 2009) edhe kur korrupsioni lodron mbi jetët e humbura, si në Gërdec apo gllabëron fonde sa për ta bërë nga e para të njëjtën vepër publike si në rrugën Durrës-Kukës, edhe administratë publike të çliruar nga ndikimi i përkatësisë partiake.  

Për të krijuar e konsoliduar këto standarde në të mirë cilësisë e sigurisë së jetës të qytetarëve  tanë, e cila mbetet e kërcënuar edhe për faj të paaftësisë e korrupsionit qeveritar,  duhej të debatonim e diskutonim rreth buxheteve, por me ne ndodh ndryshe: buxhetet në mënyrë periodike i paraqiten këtij parlamenti për të bërë shoën e radhës.

Para se të diskutohet për këtë draft, për hir të transparencës duhet t’i kishit dhënë këtij Parlamenti një informacion të plotë për:
 
•    Shpenzimet, reklamat e qeverisë, si edhe për festat qeveritare.
•    Shpenzimet për pushtetin vendor ulen me 22 % dhe pas uljes janë 12 % më pak se në vitin 2009.

•    Shpenzimet për investime ulen 22 % dhe pas uljes rreth 30 % më pak se në vitin 2009.

•    Investimet në Ministrinë e Shëndetësisë pakësohen me 60 %. Nga kjo qeveri me “zemër të dhimsur” siç u shpreh Ministri i piramidave.
•    Investimet në Ministrinë e Arsimit pakësohen me 30 %.

•    Kur do të bëni publike sa do të ndryshojnë realisht pensionet?

•    Sa janë efektet e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për pensionet e ish-ushtarakëve dhe a e keni të përfshirë në buxhet?

•    Sa është numri i kontribuesve të sigurimeve shoqërore në fshat, i cili mbetet i braktisur. A dëgjoi njeri Ministrin e Bujqësisë, i cili iu drejtua qytetarëve, të thonte ndonjë fjalë për investimet në bujqësi?

•    Nuk po merrem me buxhetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme sepse kjo ministri ka nevoje për rikonceptim të strukturës së saj  që nga hapja e ambasadave pa motive të argumentuara e deri tek shkelja flagrante e ligjit për shërbimin e jashtëm duke e vënë diplomacinë jo në shërbim të interesave të vendit e të shtetit, por në shërbim të bosave e shefave.

Opozita e ka shprehur qartë qëndrimin e vet që nuk do të stepet para asgjëje për të bërë drejtësi duke kërkuar ndëshkimin e të gjithëve që kanë abuzuar me ligjin për përfitime vetjake apo partiake, si edhe duke mos njohur asnjë privatizim apo praktikë që është në dëm të qytetarëve e sundimit të ligjit.

Nga deputetja e PS, Arta Dade


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy